'Heshtja shtetërore po vret pacientët', Shehu denoncon: Mjekët realizojnë transplantin e parë të palcës, qeveria zero kontribut

Në një reagim në rrjetin social Facebook, deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, është shprehur se suksesi i parë në realizimin e një autotransplanti të palcës kurrizore në QSUT, është një dëshmi e aftësisë dhe përkushtimit të mjekëve shqiptarë, që po veprojnë në kushtet e një braktisjeje totale nga ana e qeverisë.

Në deklaratën e tij, Shehu ngre alarmin për indiferencën e qeverisë ndaj nevojave jetike të pacientëve dhe mungesën e çdo vizioni shtetëror për zhvillimin e transplantologjisë në Shqipëri.

Në vijim, ai e konsideron mungesën e angazhimit institucional si jo vetëm papërgjegjësi, por një akt të rëndë moralisht dhe politikisht, që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Postimi i plotë:

Transplanti i palcës, impenjimi i specialistëve tanë përballë indiferencës së Qeverisë.

Së pari, dëshiroj të uroj Prof. Arben Ivanajn dhe shërbimin e Hematologjisë në QSUT për realizimin e autotransplantit të parë, në një rast me mieloma multiple. Fillim ky i transplanteve hematologjike, që duhet përshëndetur e mbështetur.

Ai u realizua me iniciativën, përgatitjen, impenjimin e atij personeli, që jo vetëm tregoi aftësitë e tij, por edhe arriti të sigurojë disa donacione private për të krijuar kushtet logjistike dhe teknike minimale të realizimit.

Ndërsa pjesëmarrja dhe kontributi i shtetit ka qenë zero ose pengues. E them pengues sepse edhe ato ambiente që ishin planifikuar në godinën e parë të re të QSUT, mbi Reanimacionin Polivalent, për një qendër transplantesh të tilla, u asgjësuan pa asnjë vizion dhe strategji perspektive, pas vitit 2014.

Dhe që atëherë, asgjë. Jo vetëm për transplantet hematologjike, por edhe për transplantet në tërësi. Sot, Shqipëria është pothuajse në nivelin zero në realizimin e transplanteve në përgjithësi, një fushë kjo shumë e rëndësishme dhe e gjerë mjekimi.

Realizimi i atij lloj transplantimi pak ditë më parë tregoi se ne mund të futemi në rrugën e realizimit të tyre pengesë ka qenë Qeveria.

Pacientë që kanë domosdoshmëri për transplant ka shumë, në fusha të ndryshme. Edhe në hematologji ka shumë, mosha nga më të ndryshmet. Por për t’i kthyer ato në rutinë mjekimi, duhet që Ministria, Qeveria të mos vazhdojnë të qëndrojnë të verbër e të shurdhër, për të larë duart si “Pilati”. Dhe as si struci me kokë në rërë, për t’iu shmangur përgjigjeve.

Ndërsa për atë nismë të shërbimit të Hematologjisë, ajo mund të vazhdohet kështu edhe me 2–3 të tilla procedura. Për më tej, duhet impenjimi i plotë i shtetit, që deri më sot ka heshtur përpara nevojave për jetë a vdekje të atyre pacientëve.

Veçanërisht tashmë, që profesionistët e nderuar dhanë një shembull e sinjal të fortë, vazhdimi i heshtjes shtetërore duhet konsideruar vepër kriminale.