'Fillimi i vitit shkollor në sfidë', Sociologia ngre alarmin: Mungon siguria, motivimi dhe mbështetja
Sociologia Entela Binjaku ishte e ftuar në edicionin e mesditës në Syri TV, ku është diskutuar mbi sfidat që shoqërojnë fillimin e vitit të ri shkollor.
Në fokus të deklaratës së saj ishin problemet që prekin drejtpërdrejt adoleshentët në sistemin arsimor shqiptar, si mungesa e sigurisë në shkolla, rritja e agresivitetit dhe kriminalitetit në këtë moshë, mungesa e mbështetjes psikologjike dhe roli i dobët i institucioneve në përballjen me këto sfida.
Binjaku theksoi gjithashtu shqetësimet e prindërve, kushtet në shkolla, përmbajtjen jo cilësore të teksteve mësimore, dhe nevojën për ndërhyrje serioze nga autoritetet për të garantuar edukim të shëndetshëm dhe të sigurt për të miturit.
Pjesë nga deklarata:
Sfidat me adoleshencën janë konstante dhe ndodhin çdo vit. I përjetojnë çdo prind, mësues dhe shkollë që përballen me sfida të vërteta. Shoqëria duhet të jetë e vëmendshme ndaj kësaj moshe të miturish, sepse është një moshë delikate krahas ndryshimeve që ndodhin në këtë fazë, dhe jo të gjithë kalojnë një adoleshencë të qetë, me një tranzicion të butë. Për këtë arsye, vigjilenca duhet të jetë e lartë.
Të hënën nis shkolla, por fillon me shumë probleme në administrimin e kësaj moshe, ku shumë adoleshentë janë agresivë, kanë probleme me kriminalitetin, braktisjen e shkollës, mungesën e interesit për të marrë njohuri dhe shpesh janë objekt i gjykimit penal ose i përballjes me delinkuencën e rritur. Unë e shikoj fillimin e shkollës si një moment që kërkon një vigjilencë të lartë nga institucionet ndaj adoleshentëve.
Që të kemi rezultate të ndryshme, do të thotë të veprojmë ndryshe, të marrim masa, të jemi të përgjegjshëm dhe seriozë në angazhimin dhe përgjegjësinë që marrim, veçanërisht ndaj të miturve që janë përgjegjësi e të rriturve.
Gjej me vend të përcjell disa shqetësime të disa prindërve. Ata shprehen se fëmijët në shkolla kanë nevojë për siguri të lartë, dhe shumë prindër janë të shqetësuar për këtë aspekt. Me një ligj nga mars-prilli, një oficer policie do të ishte në shkollë vetëm nëse një shkollë 9-vjeçare kishte 350 nxënës ose një gjimnaz kishte minimumi 80 nxënës. Shumë shkolla, veçanërisht në rrethe, që kanë një numër të vogël nxënësish, nuk kanë oficer policie. Madje edhe ata që e kanë, shpesh flasin për pamjaftueshmëri të ofrimit të shërbimit nga këta oficerë dhe kërkojnë më shumë praninë e policisë së rendit.
Së dyti, ka prindër të cilët janë vetë të pamotivuar nga vështirësitë e jetës, dhe kështu edhe vetë fëmijët dëgjojnë se "ky vend nuk bëhet", "shkolla nuk të çon gjëkundi". Pra, ka një kategori prindërish të pamotivuar, të cilët ushqejnë fëmijët me këtë mendësi, dhe është shumë e vështirë t’u shtosh interesin këtyre fëmijëve.
Shqetësime të tjera lidhen me nevojën për shërbime psikologjike. Kemi folur shpesh për prezencën dhe shërbimin e tyre, i cili është i pamjaftueshëm. Vetë fëmijët flasin për mungesën e shërbimit psikologjik në shkolla, ose edhe kur është, shpesh manifeston dobësi. Ka prindër që nuk dinë se si fëmija të përballojë një provim apo adoleshencën. Ka prindër që flasin për shërbimin dentar, një shërbim që në shkolla jo gjithmonë është i duhuri. Madje vetë prindërit thonë se ky shërbim është kthyer në një nënpunës i rëndomtë për plotësime dokumentash më shumë sesa për kujdes shëndetësor.
Përmbajtja e teksteve mësimore shpesh është e mërzitshme, e përkthyer keq, nuk lidhet me realitetin; materialet ilustruese kërkojnë punë të pavarur dhe kushte që nuk arrihen të sigurohen, dhe kështu krijohet mospërputhje mes asaj që kërkohet dhe asaj që ofrohet.
Zbrazja e shkollave në rrethe dhe mbingarkesa në kryeqytet është një problem tjetër që krijon disbalancë në të gjithë sistemin arsimor, duke sjellë shqetësime edhe për cilësinë e mësuesve. Shpesh në sistem, mësuesit futen në mënyrë të dyshimtë dhe jo përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”.