Provat zyrtare/ Verstappen surprizon McLaren në Monza, Leclerc niset nga rreshti i dytë
Max Verstappen siguroi “pole position” në Monza, duke vendosur kohën rekord prej 1 minutë, 18 sekonda e 792 të mijtat. “SuperMax” i mori fitoren McLaren-it, me Lando Norris që u rendit i dyti me vetëm 77 të mijta diferencë dhe Oscar Piastri i treti me 190 të mijta. Për Verstappen ky është “pole” i 45-të në karrierë dhe i treti në pistën legjendare të Monzës.
Charles Leclerc u rendit i katërti, pra në krahun e jashtëm të rreshtit të dytë, me një diferencë prej 215 të mijtash nga vendi i parë. Piloti nga Monaco la pas shokun e skuadrës, Lewis Hamilton, i cili megjithatë do të niset nga rreshti i pestë për shkak të penalitetit të marrë javën e kaluar në Holandë. Nga rreshti i tretë do të nisen dy Mercedes: George Russell dhe italiani Andrea Kimi Antonelli.
Në rreshtin e katërt gjendet debutuesi brazilian, Gabriel Bortoleto (Sauber), së bashku me menaxherin e tij, Fernando Alonso. Rreshti i pestë do të ketë Yuki Tsunoda dhe Hamiltonin e penalizuar.
Oliver Bearman (Haas-Ferrari) arriti kohën e 11-të, duke qenë i pari i eliminuar nga Q2, përpara Sauber-it të Nico Hulkenberg dhe dy Williams të Carlos Sainz dhe Alexander Albon. Në rreshtin e gjashtë gjendet Esteban Ocon me Haas dhe Isack Hadjar (Racing Bulls), viktima e parë e Q1.
Rreshti i nëntë ka Lance Stroll me Aston Martin dhe argjentinasin Franco Colapinto me Alpine, i cili debutoi pikërisht në Monza një vit më parë. Ai la pas shokun e skuadrës Pierre Gasly, që do të ndajë rreshtin e fundit me Liam Lawson (Racing Bulls), pas kualifikimeve zhgënjyese për ekipin që një javë më parë ishte në podium me Hadjar në Holandë.