SYRI TV/ Marinzë - Naftëtarët protestojnë sërish, kërkojnë paga dhe kushte më të mira
Naftëtarët në Marinzë kanë protestuar për të dytën ditë me radhë përpara zyrave të kompanisë Bankers. Ata kanë kërkuar paga më të larta, si dhe kushte më të mira pune. Sipas tyre, nëse kërkesat nuk merren parasysh, do të ndalin punën në puset e naftës dhe më pas do të hyjnë në grevë urie.
Për të dytën ditë me radhë, Sindikata e Naftëtarëve të Sektorit Hidrokarbur ka protestuar para zyrave të Bankers në Marinzë. Naftëtarët u kanë kërkuar drejtuesve të kompanisë që të zbatojnë kontratën kolektive të punës, të vendosin paga që të nisin nga 1 mijë euro e lart, si dhe të sigurojnë trajtim shëndetësor dhe ushqimor, njësoj si kompanitë shtetërore që operojnë në këtë fushë të nxjerrjes së naftës.
Naftëtarët kërkuan që palët të ulen në tryezë dhe të bien dakord për një marrëveshje të përbashkët, pasi, në të kundërt, ata paralajmëruan ndalimin e punës në puset e naftës dhe më pas hyrjen në grevë urie.