Trump ka qenë 'informator i FBI-së për Epstein-in'

Donald Trump ka qenë informator i FBI-së për Jeffrey Epstein-in, ka pretenduar një republikan i lartë.

Mike Johnson, kreu i partisë në Dhomën e Përfaqësuesve, e bëri këtë deklaratë në CNN pasi u pyet për këmbënguljen e përsëritur të Trump-it se polemika mbi Epstein-in, e cila po rëndon mandatin e tij të dytë, ishte një "sajim i demokratëve".

Përplasja shpërtheu kur Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, tha në shkurt se një "listë klientësh" e Epstein-it ndodhej në tavolinën e saj. Megjithatë, në korrik, Departamenti i Drejtësisë tha se nuk kishte gjetur asnjë provë për një listë klientësh të lidhur me pedofilin.

Në korrik, Wall Street Journal raportoi se Pam Bondi i kishte thënë Trump-it se emri i tij shfaqej disa herë në dosjet mbi agresorin e dënuar seksual, i cili u gjet i vdekur në qelinë e tij në Metropolitan Correction Centre në gusht 2019.

"Trump po i referohet mashtrimit që demokratët po përdorin për ta sulmuar," tha Johnson. "Kam folur me të për këtë shumë herë, shumë herë. Ai është i tmerruar. Është keqinterpretuar. Ai nuk thotë që ajo që bëri Epstein-i është një mashtrim. Është një e keqe e tmerrshme, e papërshkrueshme. Ai e beson këtë."

Johnson shtoi: "Kur e dëgjoi thashethemin për herë të parë, e përzuri nga Mar-a-Lago. Ai ishte informator i FBI-së për ta shkatërruar këtë gjë."

Trump kishte qenë mik me Epstein-in, por tha se i kishte prerë lidhjet me financierin e pasur pasi ky i fundit i kishte marrë stafin nga klubi i tij në Mar-a-Lago të Floridës.

Polemika për Epstein-in ka tronditur administratën Trump muajt e fundit.

Disa nga mbështetësit më besnikë të zotit Trump, përfshirë Steve Bannon-in, Tucker Carlson-in dhe aktivisten e djathtë Laura Loomer, e akuzuan administratën për mungesë transparence.

MAGA u përça, pasi shumë aktivistë dyshuan se administrata po përpiqej të mbulonte identitetet e figurave me ndikim që kishin qenë të përfshirë në aktivitetet e agresorit seksual. Kjo solli kërkesa që Trump ta shkarkonte Bondin, gjë që ai e hodhi poshtë në korrik përmes rrjeteve sociale.

"Ç'po ndodh me 'djemtë' e mi dhe, në disa raste, me 'vajzat'?" shkroi Trump. "Të gjithë po i vërsulen Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi, e cila po bën një PUNË FANTASTIKE! Ne jemi në një Ekip, MAGA, dhe nuk më pëlqen kjo që po ndodh."

Që në vitin 2019, Trump kishte thënë se vdekja e Epstein-it ishte mbuluar dhe kishte kërkuar një hetim të plotë. Ndërsa në vitin 2023, ai i tha Tucker Carlson-it se ishte e mundur që Epstein të ishte vrarë. Por javën e kaluar, Trump e përshkroi skandalin si një mashtrim.

"Me sa kuptoj unë, mund të sigurohem për këtë, por me sa kuptoj, janë dorëzuar mijëra faqe dokumentesh. Por është një mashtrim i demokratëve, sepse ata po përpiqen t'i bëjnë njerëzit të flasin për diçka që është krejt e parëndësishme për suksesin që kemi pasur si komb që kur unë jam bërë president." / The Telegraph - Syri.net