Ngacmim, sulme dhe shkelje të tjera ligji/ Arrestime dhe procedime në Korçë për disa shtetas
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë njofton se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë kapur S. M., 21 vjeç, nga Sovjani, dhe R. T., 76 vjeç, nga Vranishti, duke drejtuar motomjete pa leje, ndërsa E. Sh., 35 vjeç, nga fshati Tren, ka pësuar dëmtime pasi automjeti që drejtonte ka dalë nga rruga në gjendje të dehur.
Nga Komisariati i Policisë Korçë u arrestua në flagrancë M. L., 40 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, për shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”. Njëkohësisht, për ngacmim të një 31-vjeçareje nëpërmjet telefonit, referim në Prokurori iu bë G. L., 37 vjeç, nga Bulgareci, ndërsa për sulme fizike ndaj qytetarëve u referuan Ll. Z., 75 vjeç, dhe K. N., 46 vjeç, të banues në Korçë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan për procedim penal K. B., 29 vjeç, L. B., 38 vjeç, dhe M. Xh., 28 vjeç, për administrim të bizneseve të paregjistruara, si dhe E. S., 43 vjeç, për transport të mallrave pa faturë dhe shofer të pasiguruar. Po ashtu, Sh. D., 39 vjeç, u referua për mbajtje të bagëtive pa dokumentacion tatimor, ndërsa Xh. H., 61 vjeç, për posedim të produkteve elektroshtëpiake pa faturë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
S. M., 21 vjeç, banues në Sovjan, pasi u kap duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi;
E. Sh., 35 vjeç, banues në fshatin Tren, pasi automjeti që drejtonte në gjendje të dehur ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka marrë dëmtime vetë drejtuesi i automjetit.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin R. T., 76 vjeç, banues në fshatin Vranisht, pasi u kap duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 40 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, pasi ka shkelur masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", caktuar nga Gjykata e Korçës.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
G. L., 37 vjeç, banues në Bulgarec, pasi ka shqetësuar nëpërmjet telefonit, në mënyrë të vazhdueshme, një 31-vjeçare;
Ll. Z., 75 vjeç, banues në Korçë, pasi për motive të dobëta ka goditur me grushta një 65-vjeçar;
K. N., 46 vjeç, banues në Korçë, pasi për motive të dobëta ka goditur me grushta një 45-vjeçar.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
K. B., 29 vjeç, banues në Gurras, L. B., 38 vjeç dhe M. Xh., 28 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, pasi administronin bizneset e tyre të paregjistruara në organet kompetente;
E. S., 43 vjeç, banues në Pogradec, pasi në aksin rrugor "Pogradec-Korçë", gjatë kontrollit të një furgoni të një subjekti tregtar ku ky shtetas ishte administrator, u konstatuan dhjetëra koli me pije freskuese dhe ujë, pa faturë shoqëruese, si dhe shoferi dhe një i mitur të pasiguruar në organet kompetente;
Sh. D., 39 vjeç, banues në fshatin Shqitas, pasi në fshatin Vithkuq, gjatë kontrollit në automjetin e tij, u gjetën 85 krerë bagëti të imta, të pashoqëruara me faturë tatimore;
Xh. H., 61 vjeç, banues në Ersekë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, u gjetën disa produkte elektroshtëpiake të pashoqëruara me faturë tatimore.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.