'Kam folur me trajnerin dhe...'/ Ernest Muçi huazohet te Trabzonspor, flet për pritshmëritë dhe zbulon detaje

Në një lëvizje të papritur brenda futbollit turk, Ernest Muçi është huazuar nga Besiktashi te Trabzonspor, vetëm disa ditë para mbylljes së merkatos në Turqi.

24-vjeçari ka dhënë deklaratën e tij të parë për mediat pas transferimit, duke treguar se është plotësisht i gatshëm për sfidën e re dhe ka pasur biseda me trajnerin Fatih Tekke.

“Këtë sezon jam këtu si i huazuar, por në kontratë ekziston edhe opsioni për blerje. Dua që ky opsion të shfrytëzohet dhe do bëj më të mirën. Edhe pse nuk i njoh personalisht të gjithë lojtarët në ekip, kam informacion për secilin prej tyre. E di që kur t’i bashkohem ekipit, do të më pranojnë sikur të isha prej vitesh këtu. Jam shumë i emocionuar për të dhënë kontributin tim për ekipin,” u shpreh Muçi.

Ai shtoi se është i gatshëm të luajë në pozicione të ndryshme dhe se fleksibiliteti i tij do të jetë një avantazh për ekipin: “Jam i hapur për të luajtur në pozicione të ndryshme. Kam folur me trajnerin. Kam besim tek ai dhe besoj se do të kemi sukses. Jam plotësisht gati fizikisht. Jam në 100% të formës sime dhe mezi po e pres të nis sezonin.”

Transferimi i Muçit vjen në një moment kyç për Trabzonsporin, që kërkon të forcojë skuadrën në ditët e fundit të merkatos turke.