A është kjo fytyra e të dashurit të Shekspirit?

Historianët besojnë se mund të kenë zbuluar fytyrën e të dashurit sekret homoseksual të Uilliam Shekspirit në një portret miniaturë.

Historiania e artit në Universitetin e Warwick-ut, dr. Elizabeth Goldring, ka sugjeruar se një miniaturë e sapozbuluar e shekullit të 16-të e Henro Riotheslit, konti i tretë i Sauthamptonit dhe mecenati i parë i Shekspirit, mund të ketë qenë një "dhuratë dashurie".

Portreti i vogël është mbajtur në një koleksion privat brenda familjes së tij, para se të blihej nga një blerës i paidentifikuar.

Dr Goldring tha: "Miniaturat janë imazhe shumë personale, intime dhe private, që shpesh mbaheshin mbi trup, pranë zemrës, dhe shpesh shkëmbeheshin si dhurata dashurie."

Në pjesën e pasme të miniaturës, shihet zemra e kuqe e një letre bixhozi me një shigjetë të zezë të vizatuar sipër, duke pasqyruar heshtën që gjendet në stemën e Shekspirit.

Historiania e artit i tha gazetës The Telegraph: "Është e jashtëzakonshme dhe nuk kam hasur kurrë diçka të tillë më parë. Është logjike të mendosh se dëmtimi ka ndodhur ndoshta relativisht herët, është një reagim aq i fortë, instinktiv e i dhunshëm, sa duket sikur vetëm dikush me lidhje të drejtpërdrejtë me subjektin do ta kishte bërë."

Ky zbulim i shtohet një debati të kahershëm mbi seksualitetin e dramaturgut anglez.Pesë vite më parë, profesori sër Stanley Wells dhe dr. Paul Edmondson pohuan se Shekspiri ishte "pa dyshim" biseksual, pasi analizuan gjuhën që ai përdori në sonetet e tij.

Sipas gjetjeve të tyre, disa prej soneteve u ishin drejtuar si burrave ashtu si edhe grave.

Prof. sër Stanley tha: "Gjuha e seksualitetit në disa nga sonetet, që i drejtohen një subjekti mashkull, nuk lë asnjë dyshim se Shekspiri ishte biseksual.

"Është bërë modë që nga mesi i viteve 1980 të mendohet për Shekspirin si homoseksual. Por ai ishte i martuar dhe kishte fëmijë."

Konti i Southampton-it është identifikuar gjerësisht si figura që dramaturgu i famshëm botëror e përshkroi si "Djaloshi i Bukur".

Disa historianë besojnë se portreti në miniaturë i aristokratit iu kthye atij në vitin 1598, kur ai u martua.

Dr. Goldring tha: "Origjina mbështet idenë se miniatura iu kthye Southampton-it, sepse normalisht ato jepen si dhuratë.

"Një interpretim intrigues mund të ishte që Shekspiri ishte marrësi fillestar i miniaturës, por ia ktheu atë Kontit në një moment, ndoshta kur Southampton-i u martua në vitin 1598, me shenjën e tij personale që fshihte zemrën."

Profesor sër Jonathan Bate, një nga ekspertët kryesorë britanikë për dramaturgun, tha: "Nuk mund ta besoja çfarë po shihja. Kam parë qindra miniatura të shekullit të 16-të; ato janë imazhe jashtëzakonisht private.

"Kjo dukej si diçka edhe më private se fytyra e parë që shihet në anën tjetër. Nuk kishim parë kurrë një anë të pasme letre bixhozi të shkatërruar kështu, me fshirjen e një zemre. Dhe për të arritur tek pjesa e pasme e një miniature në Anglinë elizabetiane do të duhej ta kishe hequr nga një varëse shumë, shumë e shtrenjtë. Ky duket si një akt shumë pasionant." / Gbnews - Syri.net