Sugalabo, restoranti sekret i Tokios ku hyn vetëm me ftesë
Dhjetë vite pas hapjes, restoranti Sugalabo mbetet një prej përvojave më të paarritshme kulinare në Japoni.
Përkundër famës ndërkombëtare të shefit Yosuke Suga, nxënës i mjeshtrit legjendar Joël Robuchon, dera e këtij lokali nuk hapet për këdo.
“Shefi Suga këmbëngul se kjo nuk është snobizëm, por kujdes për përvojën e mysafirëve. ‘Jemi shumë të qëllimshëm në mirëseardhjen e njerëzve që e kuptojnë atë që bëjmë dhe shijet e të cilëve i njohim. Vetëm kështu mund t’u përgjigjemi pritshmërive në mënyrë të personalizuar,’ shpjegon ai.”
Përtej shijes marrëdhënie personale
Për Suga-n, ushqimi është vetëm gjysma e historisë. Po aq e rëndësishme është lidhja njerëzore me klientin.
“Përpiqemi të kuptojmë sfondin e tyre nëse janë mjekë, avokatë, njerëz finance apo gazetarë sepse kjo ndikon në llojin e bisedës që zhvilloj me ta,” thotë ai.
Qëllimi është i qartë: të ndërtohet një marrëdhënie e ndërsjellë besimi. “Nëse njerëzit nuk kthehen më, restoranti vdes. Por kur krijon një lidhje të fortë, ajo bëhet e qëndrueshme.”
Një omakase që sfidon kulturën perëndimore
Sugalabo ofron vetëm një menu omakase – ku zgjedhja i lihet plotësisht shefit. Për mysafirët, kjo përmbys logjikën e zakonshme perëndimore ku klienti është në qendër dhe kuzhina përshtatet ndaj tij.
Këtu, është shefi që udhëheq rrugëtimin, duke përdorur produktet më të mira sezonale të Japonisë dhe duke i dhënë secilit pjatë një pjesë të vetes.