SYRI TV/ Naftëtarët protestojnë para kompanisë Bankers, kërkojnë paga dhe kushte më të mira
Qindra naftëtarë protestojnë në Marinzë, paralajmërojnë përshkallëzim të aksionit deri në ndalim të punës në puse
Qindra naftëtarë kanë protestuar këtë të premte përpara zyrave të kompanisë së naftës Bankers Petroleum në Marinzë. Ata kanë kërkuar rritje page dhe kushte më të mira pune, ndërkohë që kanë paralajmëruar se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, do të përshkallëzojnë protestat deri në ndalim të punës së puseve të naftës.
Rreth 250 anëtarë të Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve kanë zhvilluar protestën e radhës para zyrave të kompanisë Bankers. Ata insistojnë në përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave.
Protesta e fundit e tyre është zhvilluar më 1 Maj. Pas saj, ka pasur negociata mes grupit drejtues të sindikatës dhe drejtuesve të kompanisë Bankers, por pa asnjë rezultat konkret.
Protesta e sotme zgjati rreth një orë dhe pritet të vazhdojë edhe ditën e shtunë. Naftëtarët janë shprehur se, nëse drejtuesit e Bankers nuk bien dakord për të zgjidhur problematikat, atëherë ata do të përshkallëzojnë protestat, deri në ndalim disa orësh të punës në puse.