Hakerët nga Kina mund të kenë vjedhur të dhënat e pothuajse të gjithë qytetarëve amerikanë
Në vitet e fundit, hakerat e mbështetur nga kinezët kanë ndërhyrë vazhdimisht në rrjetin amerikan të energjisë dhe kompanitë anembanë botës për të vjedhur të dhëna të ndjeshme, të tilla si dizajnet e çipave.
Por një sulm kibernetik bie në sy në veçanti: Është një sulm i koordinuar disavjeçar që infiltroi kompani të mëdha telekomunikacioni dhe biznese të tjera. Sulmi kibernetik i atribuohet grupit Salt Typhoon, për të cilin hetuesit amerikanë thonë se mbështetet nga shteti kinez.
Sipas hetimeve në SHBA, grupi sulmoi më shumë se 80 vende dhe rreth 200 kompani, duke vjedhur informacion nga pothuajse çdo amerikan. Hakerët me sa duket ishin në gjendje të dëgjonin telefonata dhe të lexonin mesazhe të pakriptuara, raportoi të enjten New York Times.
Shtrirja e sulmit të koordinuar ndaj kompanive të mëdha të telekomunikacionit (si Verizon dhe T-Mobile), i zbuluar në shtator 2024, ishte shumë më e madhe nga sa supozohej fillimisht. Zyrtarët e sigurisë paralajmërojnë se të dhënat e vjedhura mund t'u mundësojnë agjencive kineze të inteligjencës të gjurmojnë politikanë, spiunë dhe aktivistë.
Ndër ata që u vunë në shënjestër ishin telefonat e përdorur nga Presidenti Trump dhe Zëvendëspresidenti J.D. Vance gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar, si dhe ato të demokratëve të rangut të lartë.
Deklarata e Përbashkët
Zyrtarët britanikë dhe amerikanë e dënuan sulmin si "të pakufizuar" dhe "pa dallim". Kanadaja, Finlanda, Gjermania, Italia, Japonia dhe Spanja gjithashtu iu bashkuan një deklarate të përbashkët duke denoncuar publikisht qeverinë kineze. Në deklaratën 37-faqëshe, të botuar javën e kaluar, vendet akuzojnë Sichuan Juxinhe Network Technology, Beijing Huanyu Tianqiong Information Technology dhe Sichuan Zhixin Ruijie Network Technology se punojnë për agjencitë ushtarake dhe civile të inteligjencës të Kinës, duke kryer operacione jashtë shtetit. Të tre kompanitë e teknologjisë kanë qenë aktive që nga të paktën viti 2019, por operacioni Salt Typhoon i lidhur me to u zbulua vetëm vitin e kaluar.
Sichuan Juxinhe është sanksionuar tashmë nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së për lidhje të dyshuara me grupin e hakerëve Salt Typhoon. Ministria e Jashtme kineze e quan këtë një fushatë shpifjeje të SHBA-së.
Sigurisht, Kina nuk është i vetmi vend që përdor metoda të tilla. Hakerët e sponsorizuar nga shteti rus kanë kryer gjithashtu disa sulme të suksesshme. Qeveritë amerikane dhe britanike, si dhe aleatët e tyre më të ngushtë kanë gjithashtu aftësi të mëdha spiunazhi./ Der Standard.