‘Bomba’ e John Schindler: McGonigal është përfshirë në korrupsion të lartë në Shqipëri! Duhet hetim nga një agjenci më e lartë se FBI-ja
Gazetari dhe analisti i çështjeve të inteligjencës amerikane, John R. Schindler, bëri disa deklarata të forta në intervistën e mbrëmjes në SYRI TV përballë gazetares Armela Ferko.
Ai tha se ka prova nga burimet e tij se McGonigal është përfshirë në korrupsion të lartë në Shqipëri.
“Hetimi është duke vazhduar brenda FBI-së në çështjen McGonigal. Megjithatë ky hetim duhet të bëhet nga një agjenci federale e një niveli më të lartë në Uashington. Gjithashtu dua të theksoj se ka dy pyetje të rëndësishme për të cilat ne kërkojmë përgjigje.
Kur u bë kriminel McGonigal, kur mori këtë rrugë kriminaliteti? Raporti flet për sjelljen e tij kur ishte shef i kundërzbulimit në FBI para një dekade. A ishte ky fillimi apo është më e hershme në kohë. Këtë nuk e dimë dhe kemi nevojë ta dimë.
Pyetja e dytë lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë. Ne e dimë se McGonigal filloi të kishte marrëdhënie miqësore me kryeministrin tuaj, Edi Rama. McGonigal e vizitoi Tiranën shpesh herë kryesisht si i ftuar i kryeministrit Edi Rama.
Në bazë të burimeve të besueshme, mua më është raportuar se zoti McGonigal është përfshirë në korrupsion të lartë në vendin tuaj dhe kemi nevojë të zbulojmë të vërtetën për këtë.
Është e qartë se McGonigal po e shfrytëzonte në mënyrë të paligjshme pozitën e tij brenda FBI-së për të fituar para. Është gjithashtu e qartë se qeveria Rama e konsideronte Charles McGonigal si mjaft të dobishëm brenda politikës shqiptare. Kjo duhet shpjeguar,” tha Schindler.
Sipas tij, kjo çështje duhet hetuar nga një agjenci më e lartë se FBI-ja.
“Po, është e vërtetë nën administratën e presidentit Biden, hetimi i duhur dhe i përshtatshëm i çështjes McGonigal nuk ndodhi, pikërisht se ishte i përfshirë Hunter Biden me CEFC Energji. Ky hetim duhet të bëhet tani. Nuk duhet bërë nga FBI, sepse u përpoq të mbulojë disa pjesë të skandalit, ndaj them se duhet të trajtohet nga një nivel më i lartë dhe duhet të marrin përgjigje të gjitha pyetjet, sidomos ato që lidhen me Shqipërinë”.