Analisti amerikan për SYRI TV: Ky është fillimi i transparencës për çështjen McGonigal, jo fundi! Duçka, strumbullari mes pistës shqiptare dhe asaj kineze
John R. Schindler, gazetar dhe analist i njohur amerikan, i cili ka raportuar vazhdimisht për aferën Rama-McGonigal në gazetën “Washington Examiner” ishte i ftuari i Armela Ferkos në edicionin e lajmeve të mbrëmjes në SYRI TV.
Ai tha se raporti i Departamentit të Drejtësisë në SHBA për çështjen McGonigal është vetëm fillimi i transparencës.
“Departamenti i Drejtësisë e ka publikuar këtë dosje dhe është një dosje shumë e rëndësishme ku pranohet haptas për herë të parë nga FBI dhe qeveria amerikane se korrupsioni i McGonigal kishte një ndikim mbi Shqipërinë edhe në marrëdhëniet e SHBA me Rusinë. Është një nga skandalet më të mëdha të FBI-së.
Mendoj se raporti i Inspektorit të Përgjithshëm është fillimi i transparencës për çështjen McGonigal dhe jo fundi. Raporti shkon përtej asaj që dinim më parë dhe diskuton se sa thellë ka qenë i implikuar McGonigal me qeverinë shqiptare dhe oligarkët e Kremlinit. FBI duket se e pranon hapur.
Sikurse e theksuat edhe ju, ka tre pista apo tre linja në historinë e McGonigal. Një që lidhet me Pekinin, një me Moskën dhe një me Tiranën. Zoti Duçka është strumbullari mes pistës shqiptare dhe asaj kineze. Dhe në fakt janë dy pista që lidhen ngushtë me njëra-tjetrën dhe është vështirë t’i ndajmë nga njëra-tjetra.
Ajo çka është më e rëndësishme në këtë raport është se e pranon se McGonigal vazhdonte të punonte si një oficer i kundërinteligjencës së FBI-së, i përfshirë në kroruspion, në shitjen e sekreteve amerikane, në shitjen e influencës së zyrës së tij në Tiranë, në Pekin dhe në Moskë,” tha Schindler.