'Ronaldo hëngri dhjetëra çokollata, ëmbëlsira e torta, dhe atë mbrëmje shënoi dy gola!'

Fabio Galante ka bërë disa zbulime interesante nga periudha kur luante me brazilianin Ronaldo tek Interi dhe ka pranuar se karriera e tij mund të kishte qenë më e mirë nëse… nuk do të ishte i bukur.

Ish-mbrojtësi italian, kampion Europe me U-21 dhe fitues i Kupës UEFA me Interin, rrëfeu në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’ disa nga episodet më të veçanta të 20 viteve të tij mes Empolit, Genoas, Interit, Torinos dhe Livornos, duke kujtuar gjithashtu përballjet me legjenda të Serisë A.

Galante, sot 51 vjeç, tha se u habit nga zakonet e Ronaldos gjatë kohës së përbashkët tek Interi (1997-1999):

“Kam përballuar shumë sulmues të mëdhenj: Batistuta, Shevchenko, Del Piero, Totti, Mancini, Vialli, Vieri, Inzaghi, Montella, Di Natale, Toni, Gilardino, Lucarelli… Pippo ishte i jashtëzakonshëm. Nuk e kërkonte ai topin, por topi e kërkonte atë. Me Ronaldon kaluam vite të bukura. Në 1998 fituam Kupën UEFA në Paris, trofeu i parë i epokës ‘Moratti’. Kundër Spartakut në Moskë shënoi një gol të pabesueshëm, sikur të ishte duke vallëzuar mbi akull.”

Më pas, ai kujtoi një episod kur e vizitoi Ronaldon në Madrid:

“Në komodinën pranë shtratit kishte dhjetëra çokollata, torta e ëmbëlsira. I thashë: ‘Ronie, por ti luan sonte!’ Ai, me gojën plot, m’u përgjigj: ‘Po…’. Dhe atë mbrëmje shënoi dy gola!”, tregoi me humor Galante.

Italiani foli edhe për ndikimin e pamjes së tij fizike:

“Po, isha i bukur dhe dilja me vajza të showbiz-it. Por çdo gabim në fushë shoqërohej me komente helmuese: ‘Ku ka qenë Galante mbrëmë?’. Madje një gazetar, pasi më dha notën 5, më tha: ‘Ç’të duhet nota kur i ke të gjitha gratë që do?’. Kjo më shokoi.”

Në fund, Galante shtoi:

“Nëse Zoti do të më shihte ndonjëherë të trishtuar, do të më godiste në kokë e do të më thoshte: çfarë do më shumë nga jeta? Prej dhjetë vitesh jam me Francesca-n, një grua e mrekullueshme. Na pëlqen të udhëtojmë dhe kemi bërë xhiron e botës. Shpresojmë të zgjerojmë familjen shumë shpejt.”