Për herë të dytë, japonezi bëhet personi më i vjetër që arrin majën e malit Fuji në moshën 102 vjeç

Kokichi Akuzawa është bërë personi më i vjetër që ngjitet në majë të malit Fuji në moshën 102 vjeç - pavarësisht se pothuajse u dorëzua gjatë udhëtimit të tij.

«Isha vërtet i tunduar të dorëzohesha në gjysmë të rrugës», tha Akuzawa. «Arritja në majë ishte e vështirë, por miqtë e mi më inkurajuan dhe gjithçka doli mirë. Ia dola mbanë sepse shumë njerëz më mbështetën».

Akuzawa u ngjit me vajzën e tij Motoe, 70 vjeç, mbesën e tij, bashkëshortin e saj dhe katër miq nga një klub ngjitjeje. Arritja e tij është njohur nga Libri i Rekordeve Guinness.

Grupi ngriti kamp për dy netë gjatë rrugës përpara ngjitjes së tyre më 5 gusht në majë të malit Fuji, i cili është mali më i lartë i Japonisë me 3,776 metra (12,388 këmbë).

«Jam i impresionuar që u ngjita kaq mirë», tha ai, duke komunikuar me ndihmën e vajzës së tij 75-vjeçare, Yukiko, e cila i përsëriste pyetjet në vesh të babait të saj, sepse ai ka vështirësi në dëgjim. Akuzawa shtoi se nuk e merrte asnjë mal si të mirëqenë në moshën e tij. «Është më mirë të ngjitesh, ndërsa ende mundesh».

Udhëtimi nuk ishte ngjitja e parë rekord e Akuzawas në malin Fuji. Ai ishte 96 vjeç kur u bë personi më i vjetër që ngjitet në mal për herë të parë. Në gjashtë vitet që nga ajo kohë, ai ka kapërcyer problemet me zemrën, herpesin dhe qepjet nga një rënie në ngjitje.

Akuzawa kaloi tre muaj në stërvitje përpara ngjitjes në Fuji, duke u zgjuar në orën 5 të mëngjesit për shëtitje njëorëshe dhe duke u ngjitur në afërsisht një mal çdo javë, kryesisht rreth prefekturës Nagano në Japoninë qendrore.

I rrethuar nga të afërm dhe piktura të maleve të vendosura në kornizë në shtëpinë e tij në Maebashi, rreth 241 km në veriperëndim të Tokios, Akuzawa kujtoi se çfarë e tërhoqi për herë të parë drejt maleve 88 vjet më parë. Ndërsa magjia e arritjes së majës ishte e pamohueshme, ishin njerëzit ata që e shtynë të kthehej.

«Unë ngjitem sepse më pëlqen», tha ai. «Është e lehtë të bësh miq në mal.»

Akuzawa punoi si inxhinier projektimi motorësh dhe më vonë si inseminues artificial i bagëtive, një profesion që e mbajti deri në moshën 85 vjeç, tha familja e tij.

«Pavarësisht nëse të pëlqente të studioje apo jo, mund ta shijoje malin njësoj», tha ai. «Inteligjenca nuk kishte rëndësi atje lart. Ne ishim të gjithë në një pozitë të barabartë dhe ecnim përpara së bashku».

Akuzawa më parë kënaqej duke u ngjitur vetëm, por ndërsa forca e tij u pakësua, ai mbështetej më shumë në ndihmën e të tjerëve. Ngjitja rekord e tij në gusht, ishte një tjetër provë që ai e kaloi me ndihmë.

«Mali Fuji nuk është një mal i vështirë, por këtë herë ishte më i vështirë se gjashtë vjet më parë. Më i vështirë se çdo mal më parë», tha ai. «Nuk jam ndjerë kurrë kaq i dobët. Nuk kisha dhimbje, por vazhdoja të pyesja veten pse isha kaq i ngadaltë, pse nuk kisha qëndrueshmëri. E kisha kaluar prej kohësh limitin tim fizik dhe vetëm falë forcës së të gjithëve ia dola mbanë.»

«Do të doja shumë të vazhdoja të ngjitesha përgjithmonë, por mendoj se nuk mundem më. Tani jam në nivelin e malit Akagi», një majë aty pranë, rreth gjysma e lartësisë së Fuji-t, me 1,828 metra (5,997 këmbë).

Akuzawa i kalon mëngjeset duke bërë vullnetarizëm në një qendër kujdesi për të moshuarit dhe duke dhënë mësime pikture në studion e tij në shtëpi.

Alpinizmi dhe piktura kërkojnë kohë dhe përkushtim, por të dyja ofrojnë paqe, tha ai. “Njerëzit që ngjiten në male, njerëzit që pikturojnë; nëse mund të krijojnë diçka të plotë në atë shteg, kjo është gjëja më e kënaqshme”, tha Akuzawa.

Bijat e Akuzawas duan që ai të pikturojë Fujin në lindjen e diellit për shtesën e radhës në përshkrimet e vargmaleve që mbulojnë muret e dhomës së tij të ndenjes.

«Kam shumë kërkesa», tha ai. «Dua të pikturoj disa skena nga maja e malit Fuji, vende që ruajnë kujtime të veçanta për mua, pasi kjo ishte ndoshta hera e fundit që arrita në majë»./ The Guardian.