Aleatët e Ukrainës po përgatiten me valën e ardhshme të sanksioneve ndaj Rusisë

Aleatët e Ukrainës po përgatisin një sërë sanksionesh të reja kundër Rusisë, si pjesë e një fushate për të ushtruar presion mbi Presidentin Vladimir Putin, që t'i japë fund luftës në Ukrainë, tha të premten kryeministri kanadez Mark Carney.

"Z. Putin është shkaku i kësaj lufte. Ai është arsyeja e vrasjes - ai nuk do të diktojë kushtet e paqes", tha ai në një konferencë për shtyp të transmetuar në televizion, raportoi Reuters.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten se 26 vende kanë premtuar garanci sigurie për Ukrainën pas luftës, duke përfshirë një forcë ndërkombëtare në tokë, në det dhe në ajër.

Fillimisht, Macron tha se këto vende do të dërgojnë trupa në Ukrainë, por më pas sqaroi se disa prej tyre do të ofrojnë garanci duke qëndruar jashtë Ukrainës, për shembull duke ndihmuar në trajnimin dhe pajisjen e forcave të Kievit.

Ndërkohë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të premten se çfarëdo trupe perëndimore e vendosur në Ukrainë do të jetë shënjestër legjitime për Moskën.