Barcelona në dilemë për rikthimin në ‘Camp Nou’, përgatitet ‘plani B’
Barcelona rrezikon të mos luajë ndeshjen e saj të parë në shtëpi pas rikonstruksionit të madh të ‘Spotify Camp Nou’ më 14 shtator, kundër Valencias. Arsyeja është se klubi katalanas ende nuk ka marrë Certifikatën Përfundimtare të Punimeve (CFO), një dokument kyç për të siguruar lejen e përdorimit të stadiumit dhe licencat e tjera të nevojshme.
Punimet në shtëpinë ‘bluagrana’ kanë avancuar me ritme të shpejta, por pa CFO, rikthimi në ‘Camp Nou’ duket pothuajse i pamundur. Dokumenti pritet të jepet në fillim të javës së ardhshme, vetëm gjashtë ditë para takimit me Valencian, çka e bën situatën tepër të pasigurt.
Përballë kësaj vonese, drejtuesit e Barcelonës kanë nisur tashmë të zbatojnë planin B: përshtatjen e stadiumit ‘Johan Cruyff’ në Sant Joan Despí. Ky impiant, me kapacitet prej 6 mijë vendesh, është më i vogël se standardi minimal prej 8 mijë që kërkon LaLiga, por federata ka parashikuar përjashtime në raste të tilla. Stadiumi ka pritur edhe Trofeun “Joan Gamper”, ndaj konsiderohet zgjidhja më e mundshme nëse licencat e ‘Camp Nou’ nuk arrijnë në kohë.
Megjithatë, në klub ende nuk e kanë hedhur poshtë përfundimisht mundësinë e kthimit në ‘Camp Nou’ për sfidën e javës së katërt. Vendimi përfundimtar pritet të shpallet të hënën ose të martën e ardhshme, pasi Barcelona duhet të marrë kohën e nevojshme për organizimin e sigurisë, teknologjisë dhe sidomos të shitjes së biletave.
Kështu, edhe një herë, afati për rikthimin e madh të Barcelonës në ‘Spotify Camp Nou’ duket i rrezikuar, duke shtyrë akoma pritjen e tifozëve për të parë skuadrën e tyre në shtëpinë e rinovuar.