Messi, lamtumira e ëndrrave në Argjentinë, sa shumë emocione!
“Ta mbyllja kështu ishte ajo që gjithmonë kam ëndërruar”. Me këto fjalë Lionel Messi, në moshën 38-vjeçare, përshkroi natën magjike të fundit me kombëtaren e Argjentinës në vendlindje. Legjenda e futbollit shënoi një ‘dopietë’ në fitoren 3-0 ndaj Venezuelës dhe përshëndeti me emocion publikun në stadiumin “Monumental” të Buenos Airesit.
Një mbrëmje e paharrueshme për “Pleshtin”: këndoi himnin kombëtar i shoqëruar nga fëmijët e tij në mes të fushës, mori duartrokitje të gjata nga tribuna dhe mezi i mbajti lotët që në nxemje.
Tetë herë fituesi i Topit të Artë, i cili e ka bërë historinë me Barcelonën dhe kombëtaren “albiceleste”, foli edhe për të ardhmen dhe mundësinë e pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2026:
“Logjika thoshte se nuk do t’ia dilja, tha Messi duke buzëqeshur, por ja ku jam, duke pritur me padurim. I marr gjërat ditë pas dite. Nëse nuk do jem mirë, preferoj të mos jem.”
Një fund simbolik dhe i ndjerë për një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë, që në mbrëmjen e fundit në atdhe u përjetua si gjithmonë: me gola, emocione dhe dashurinë e pafund të tifozëve.