Prapaskena mbi Kolo Muani dhe kërcënimet e Al-Khelaifi ndaj Juves: Do t’i kujtoj metodat tuaja!
Dështimi i tratativës për ta sjellë sërish Randal Kolo Muani-në në Torino ka lënë pasoja të rënda dhe ka ngrirë marrëdhëniet mes Juventusit dhe PSG-së. Të paktën kështu raportojnë këto ditë mediet franceze, sipas të cilave presidenti i klubit parizien, Nasser Al-Khelaifi, është treguar shumë i tërbuar për mënyrën se si përfundoi kjo çështje.
Sipas ‘Sports Zone’, numri një i PSG-së ka shpërthyer ndaj drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, Comolli, gjatë një telefonate, duke përdorur fraza të rënda dhe madje edhe kërcënime të hapura:
“Na keni marrë për budallenj për disa javë. Kaq është, nuk do ta fitoni këtë betejë kundër meje. Do t’i kujtoj metodat që keni përdorur, besomëni.”
Pas këtij shpërthimi, Al-Khelaifi i dha udhëzime agjentit të Kolo Muani për të gjetur një zgjidhje alternative, duke çuar në kthesën e menjëhershme drejt Tottenham-it. Klubi londinez e përfitoi sulmuesin francez në formë huazimi me të drejtë blerjeje, në një operacion të shpejtë të realizuar në ditën e fundit të merkatos.