SYRI TV/ Kinezët e dënuar në SHBA, financues të Ramës - Detaje nga Raporti i Departamentit të Drejtësisë

Kompania kineze dhe Presidenti i kompanisë i hetuar dhe dënuar në SHBA publikuar dje në Dosjen e Departamentit të Drejtësisë janë financues të Edi Ramës. Kompania “CEFC Energy” në vitin 2015 sponsorizoi ekspozitën personale të Kryeministrit Edi Rama në Hong Kong. Kjo kompani në atë kohë kërkonte marrjen e fushave të naftës në vendin tonë, kjo fal ndërhyrjeve të Dorjan Duçkës dhe Charles Mcgonigal, por hetimi në SHBA duket se ka prishur planet.

Syri TV

Dy biznesmenët kinezë që sponsorizuan ekspozitën personale të Kryeministrit Edi Rama në Hong Kong në vitin 2015, rezultojnë se janë dënuar për korrupsion dhe komplot në SHBA dhe Kinë. Patrik Ho  dhe Ye Jianming, drejtues të kompanisë kineze CEFC Energy Company, janë dënuar në vitin 2018, periudhë që korrenspodon pikërisht me takimet intensive të Kryeministrit Edi Rama, ish-agjentit të FBI Charles Mcgonigal dhe ndërmjetësit të tyre, Dorian Duçka, i cili rezulton se ka punuar për kompaninë Kineze.

Në vitin 2018, Departamenti i Drejtësisë dënoi Patrick Ho nën akuzat e shkeljes së Ligjit për Vepra të Korrupsionit të Huaj, pastrim parash dhe komplot. Një gjykatë lokale e dënoi Zotin Ho me 3 vite burg për rolin e tij në skemën ndërkombëtare të ryshfetit. Gjatë gjyqit, ju dëshmuat lidhur me lidhjet tuaja të biznesit me zyrtarë të caktuar të CEFC, duke përfshirë Kryetarin Ye Jianming dhe Patrick Ho, të cilët kishin lidhje me Partinë Komuniste Kineze. Pasi Patrick Ho u arrestua, raportet sugjerojnë se qeveria Kineze po ashtu ndaloi Kryetarin Ye për shkelje të ligjeve kineze të ryshfetit.

Patrik Ho dhe Ye Jianming, që sipas një raporti të Komitetit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA, rezulton se ishin të lidhur me Partinë Komuniste Kineze, financuan në vitin 2015 ekspozitën personale të Kryeministrit Edi Rama në Kinë. Në atë kohë, hapja e ekspozitës në Kinë ngjalli shumë pikëpyetje, për shkak se Edi Rama udhëtoi me një avion charter, i cili sipas zyrës së Shtypit të Kryeministrisë në atë kohë, ishte paguar nga ambasada kineze.  Kompania Kineze në kohën që financoi ekspozitën e Kryeministrit Edi Rama, dyshohet se kërkonte të merrte fushat e naftës në Shqipëri me ndërmjetësim të Charles Mcgonigal dhe Dorian Duçkës, por një gjë e tillë dështoi pas hetimit dhe dënimit të pronarëve të kompanisë kineze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë që në SHBA kompania kineze hetohej, në Shqipëri propaganda e Edi Ramës përpiqej të mbulonte skandalin, madje ta cilësonte sukses. Në atë kohë, Shqiptarja.com e Carlo Bollinos publikonte foto të Dorjan Duçkës, duke e cilësuar atë si  lobues të niveleve të larta, ndërsa ironizonte opozitën dhe liderin e saj Sali Berisha që e cilësonte Dorjan Duçkën shërbëtor të Edi Ramës, fakt ky që u konfirmua edhe nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA.