Çfarë fshihet pas një emri? Avokati amerikan Mark Zuckerberg padit Facebook-un për mbylljen e llogarive për 'imitim'

Avokati i falimentimit në Indiana, Mark S. Zuckerberg, ka deklaruar se prania e tij zyrtare në Facebook është çaktivizuar pesë herë gjatë tetë viteve të fundit, duke i shkaktuar mijëra dollarë humbje në biznes. Ai ka ngritur një padi kundër gjigantit të mediave sociale, Meta, duke pretenduar se llogaria e tij është pezulluar me arsyetimin se ai po “imiton një personazh të famshëm”, ndonëse ai ka një karrierë të gjatë si avokat praktikant.

Në një intervistë për kanalin lokal WTHR-TV, Zuckerberg tha: “Nuk është qesharake. Jo kur më marrin paratë”. Padia e tij thekson se ai ka qenë avokat praktikant për 38 vjet, një periudhë që filloi kur themeluesi i Facebook, Mark E. Zuckerberg, ishte rreth tre vjeç.

Meta, kompania shumëkombëshe që operon Facebook-un, tha se ka rivendosur llogarinë e avokatit dhe po ndërmerr hapa për të parandaluar pezullime të gabuara në të ardhmen. Avokati ka ndarë gjithashtu email-e me mediat lokale ku kompania e akuzonte për mos-përdorim të një “emri autentik”. Ai ka paraqitur kartën e identitetit dhe disa selfie në përpjekje për të vërtetuar identitetin e tij, pa rezultat fillimisht.

Zuckerberg madje hapi faqen e tij të internetit për të mbajtur një regjistër të rasteve kur ngatërrohej me themeluesin e Facebook-ut, duke përfshirë edhe një incident kur ai u padit nga shteti i Uashingtonit për abuzim. Ai tha: “Unë jam Mark Steven. Dhe ai është Mark Elliot”.

Padia gjithashtu argumenton se Meta ka shkelur kontratën, sepse Zuckerberg kishte paguar 11,000 dollarë (rreth 9,407 euro) për reklama të kompanisë së tij, të cilat më pas u hoqën në mënyrë të papërshtatshme. “Është si të blesh një tabelë reklamash në anë të autostradës, t’i paguash njerëzit për tabelën dhe pastaj ata vijnë e vendosin një batanije gjigante sipër saj dhe ti nuk përfiton nga ajo për të cilën ke paguar”, tha ai për WTHR-TV.

Llogaria e tij u mbyll në maj dhe u rikthye në funksion pasi ai ngriti padi në Gjykatën e Lartë të Marion. Facebook tha në një deklaratë se kishte “riaktivizuar llogarinë e Mark Zuckerberg, pasi zbuloi se ishte çaktivizuar gabimisht”. Kompania shtoi: “Ne e vlerësojmë durimin e vazhdueshëm të z. Zuckerberg për këtë çështje dhe po punojmë për të parandaluar që kjo të ndodhë në të ardhmen”.