Izraeli arreston 25 pjesëtarë të Hamasit

Gjatë një operacioni blic në Bregun Perëndimor, shërbimet sekrete izraelite dhe ushtria arrestuan 25 pjesëtarë të Hamasit, mes të cilëve funksionarë të lëvizjes që drejton Rripin e Gazas.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat izraelite, ndërsa në rajon tensioni mbetet i lartë pas incidenteve të rënda që ndodhen në Jeruzalem, si pasojë e kufizimeve të vendosura nga Izraeli në hyrjen e Malit Tempull. 

Sipas të përditshmes “Israel Hayom”, mes të arrestuareve janë edhe një deputet e 5 milicë të Hamasit, të liruar disa vite më parë nga Izraeli pas negociatave për shkëmbimin e të burgosurve. 

Reagimi palestinez nuk ka vonuar. Pak orë më vonë një raketë u hodh nga Rripi i Gazas në drejtim të Izraelit, por shpërtheu në ajër.

Gjatë së shtunës u shënuan dy viktima të tjera palestineze në Bregun Perëndimor, ndërsa policia në Jeruzalem u mobilizua për të penguar protesta të reja. 

Gjithsej 5 palestinezë kanë humbur jetën në përleshjet me forcat e sigurisë gjatë dy ditëve të fundit. Ndërkaq, Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu thirri një mbledhje të kabinetit të mbrojtjes për të shqyrtuar situatën e krijuar në Jeruzalem pas instalimit të detektorëve metalikë në hyrje të vendit të shenjtë, që nga izralitët njihet si Mali Tempull, ndërsa nga palestinezët si Haram Al Sharif.

Gjeneral/major Yoav Mordechai tha se Izraeli po konsideronte alternativa të tjera ndaj detektorëve kontroversë dhe i kërkoi botës myslimane të japin sugjerimet e tyre. Tensionet lidhur me vendin e shenjtë u rindezën gjatë ditëve të fundit pas vrasjes së 2 policëve izraelitë pranë zonës.