'Komedia Njerëzore' e Balzakut është një mandala hindu

Shkrimtari francez i shekullit XIX, Honorë de Balzak, ishte katolik dhe i lidhur ngushtë me shoqërinë franceze, por mënyra se si ai e kuptonte botën ka diçka që të kujton filozofinë hindu.

Balzaku lindi në vitin e fundit të shekullit XVIII. Kur nisi të shkruante, letërsia europiane po largohej nga idetë e përgjithshme të iluminizmit dhe po kthehej drejt realizmit. Shkrimtarë realistë si Stendali besonin se për të kuptuar njeriun duhej parë jeta e përditshme, zakonet, politika, ekonomia dhe mendimet e individëve.

Balzaku ishte shembulli më i madh i këtij ndryshimi. Vepra e tij e madhe Komedia Njerëzore (1829–1848), me rreth 100 romane dhe tregime të lidhura mes tyre, kishte për qëllim të tregonte shoqërinë franceze jo me përgjithësime, por përmes jetës konkrete të personazheve.

Në parathënien e veprës ai shkruante: “Shoqëria franceze do të jetë autori i vërtetë; unë jam vetëm sekretari.” Ai e përshkruante shoqërinë si një botë të mbushur me “lloje” njerëzish dhe besonte se e vërteta dilte vetëm duke përshkruar secilin prej tyre në detaje: mënyrën e të folurit, veshjen, banesën, sjelljen.

Në romanin Xha Gorioi (1835), Balzaku i kushton gjithë kapitullin e parë një godine të zymtë ku jetojnë personazhet. Përshkrimet e shumta të mureve, mobilieve dhe edhe të erërave të shtëpisë shërbejnë për të treguar gjendjen morale, shoqërore dhe ekonomike të banorëve.

Në romanin Iluzionet e Humbura (1837–1843), ai analizon shtypin parisien, tipografitë provinciale dhe botën e pamëshirshme të famës letrare. Edhe prerja e një jeleku, çmimi i letrës apo arredimi i një salloni bëhen të dhëna për të kuptuar shoqërinë.

Edhe pse njihet për tipologjinë e personazheve, tek ai asnjë prej tyre nuk është identik me tjetrin. Kjo tregon se, brenda modeleve të përgjithshme, ai gjithmonë ruante individualitetin.

Shkrimtarë të tjerë si Floberti, Zola, Dikensi dhe Tolstoi e shihnin individin si çelës për të kuptuar shoqërinë, por Balzaku e bëri këtë me më shumë rregull: ai donte të njihte gjithë shoqërinë duke njohur çdo pjesë të saj deri në detaj.

Mandala e Balzakut

Kjo mënyrë të kujton një ide qendrore të filozofisë hindu. Shprehja sanskrite tat tvam asi (“ti je ajo”), nga Upanishadët (shek. VIII–VI para Krishtit), thotë se shpirti i individit (atman) është i njëjtë me esencën universale (brahman). Pra, universi mund të kuptohet duke kuptuar veten.

Edhe Bhagavad Gita jep një vizion të ngjashëm, ku Krishna thotë: “Unë jam Vetja, o Gudakesha, e ulur në zemrat e të gjitha qenieve. Unë jam fillimi, mesi dhe fundi i çdo qenieje.”

Balzaku nuk ishte njohës i hinduizmit, por te Komedia Njerëzore ai vendos një personazh (Lui Lambertin) që shkruan për të:

“Sivaismi, Vishnuizmi dhe Brahmanizmi, tre besimet e hershme, që lindën në Tibet, në luginën e Indusit dhe në fushat e Gangut, e mbyllën luftën e tyre rreth një mijë vjet para Krishtit duke pranuar Trimurtin hindu. Trimurtia është Trinia jonë.”

Ky përshkrim është i pasaktë, sepse këto rryma nuk janë fe të ndara, por pjesë të lidhura të mendimit hindu. Pretendimi se ato u bashkuan për të formuar Trimurtin dhe se kjo lidhet me trininë e krishterë është një keqkuptim orientalist.

Megjithatë, kjo e bën edhe më interesante ngjashmërinë strukturore: Balzaku nuk mori drejtpërdrejt ide nga hinduizmi; ngjashmëria vjen nga metoda e tij. Komedia Njerëzore është e ndërtuar si një mandala: një hartë e shtresuar e universit e krijuar nga detaje konkrete.

Në traditat hindu, një mandala është një diagram i shenjtë i kozmosit. Në hinduizëm dhe budizëm, ajo shërben si mjet meditimi: një figurë gjeometrike e ndërlikuar me një qendër të shenjtë, që tregon se universali gjendet brenda pjesëzave të veçanta. Çdo pjesë pasqyron të tërën, dhe rruga drejt qendrës është një udhëtim i brendshëm, hap pas hapi.

Ashtu funksionon edhe vepra e Balzakut. Rendi te Komedia Njerëzore vjen jo nga një sistem filozofik i vetëm, por nga përshkrimi i hollësishëm i çdo elementi të jetës shoqërore. Si një mandala, ajo fton lexuesin të hyjë thellë: nga faktet materiale të një godine a një tipografie, deri te motivet e brendshme të personazheve.

Në parathënie, Balzak shpjegon metodën e tij:

“Nuk ishte punë e vogël të përshkruaja dy a tre mijë lloje tipash të kohës… Kjo shumësi jetësh duhej të kishte një kornizë, një galeri. Kështu lindi ndarja natyrore te Skena të Jetës Private, Provinciale, Parisiane, Politike, Ushtarake dhe Fshatare. Secila ka kuptimin e saj dhe i përgjigjet një etape të jetës së njeriut.”

Në këtë kuptim, realizmi i Balzakut nuk është thjesht përshkrues, por ndërtues: një mandalë letrare e shoqërisë moderne. Ngjashmëria me mandalën hindu tregon se Komedia Njerëzore, me mbi 2000 personazhe, mishëron një mënyrë njohjeje të njohur në filozofinë hindu: për të njohur botën, duhet fillimisht të njohësh format e saj të brendshme.

Edhe pse e rrënjosur fort në Francën e shekullit XIX, me moralizimin e tij katolik dhe me ambicien enciklopedike, lidhja me mendimin hindu e bën veprën pjesë të një synimi më të madh njerëzor: të kuptosh universin duke nisur nga vetja.

Përtej klasikëve

Si pjesë e serisë Rishikimi i Klasikëve, ekspertët sugjerojnë vepra të tjera që trajtojnë tema të ngjashme, por nuk konsiderohen ende “klasike”.

Një shembull është romani Sacred Games i Vikram Chandra-s (2006), që ofron një variant indian të realizmit të Balzakut.

I vendosur në Mumbain modern, romani lidh krimin, politikën dhe mitologjinë në një rrjet kompleks personazhesh, që funksionon si një mandala. Personazhi kryesor, Sartaj Singh, shfaqet edhe në librin e mëparshëm të Chandras, Love and Longing in Bombay (1997), duke treguar përdorimin e personazheve të përsëritur dhe tregimeve të ndërlidhura, njësoj si tek Komedia Njerëzore e Balzakut. / The Conversation - Syri.net