Vijon katastrofa humanitare/ Dy tërmete të tjera të forta godasin Afganistanin brenda 12 orëve, të paktën 10 të plagosur
Dy lëkundje të fuqishme pasuese goditën Afganistanin lindor brenda 12 orësh, duke ngjallur frikë për më shumë vdekje dhe shkatërrime në një rajon ku tërmetet kanë marrë tashmë jetën e rreth 2,200 personave.
Ekipet e shpëtimit po përpiqen të gjejnë të mbijetuar në terren malor të paarritshëm dhe nën mot të ashpër, ndërsa zyrtarët njoftuan se të paktën 10 persona u plagosën në tërmetet e reja që goditën vendin mbrëmë.
Një tërmet me magnitudë 5.4 ballë të shkallës Rihter goditi Afganistanin juglindor sot në një thellësi prej 10 kilometrash, sipas Qendrës Gjermane të Kërkimeve Gjeologjike (GFZ), vetëm pak orë pas tërmetit të djeshëm. Tërmeti i djeshëm, me magnitudë 6.2 ballë, goditi po atë rajon, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha dhe panik në provincat Nangarhar dhe Kunar.
Rusia njoftoi se ka dërguar një aeroplan transporti me ndihma humanitare në Afganistan, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë po kërkon 4 milionë dollarë ndihmë emergjente për të mbështetur viktimat. Të mbijetuarit përpiqen të sigurojnë ushqim, ujë dhe strehim, ndërsa disa banorë jetojnë në tenda, kodra ose pranë lumenjve, duke lënë shtëpitë e tyre nga frika e lëkundjeve të tjera.
Shërbimet e urgjencës raportuan se 13 të plagosur u transportuan në spital pas tërmetit me magnitudë 6.2 ballë që goditi provincën Nangarhar mbrëmë, me epiqendër në distriktin Shiwa, pranë kufirit me Pakistanin. Dhjetë prej tyre janë liruar pas marrjes së ndihmës, ndërsa tre ndodhen në gjendje stabile.
Dy tërmetet e para, përkatësisht me magnitudë 6.0 dhe 5.5 ballë, shkaktuan shkatërrime masive, duke rrafshuar fshatra dhe duke shkatërruar mbi 6,700 shtëpi. Rrëshqitjet e dheut dhe shkëmbinjve bllokuan rrugët për në disa fshatra të largëta, duke vështirësuar përpjekjet e shpëtimit dhe ato humanitare.
Tërmetet në Afganistan ndodhin kryesisht në vargmalin Hindu Kush, ku pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike takohen, duke e bërë rajonin veçanërisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve sizmike. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare paralajmërojnë për nevojë urgjente për para, ushqim, furnizime mjekësore dhe strehimore për të mbështetur mijëra të mbijetuar që vazhdojnë të përballen me pasojat e katastrofës.