Ministri izraelit kërcënon me shfarosje Huthët: Do t’u shkaktojmë 10 plagët biblike
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka lëshuar një kërcënim të ashpër ndaj rebelëve Huthi të Jemenit, duke deklaruar se do t’u shkaktojnë “10 plagët biblike të Egjiptit”. Deklarata u bë publike të enjten përmes rrjeteve sociale, në një kohë kur tensionet mes Izraelit dhe grupit të mbështetur nga Irani po përshkallëzohen ndjeshëm.
Sipas mediave izraelite, rebelët Huthi kanë intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë kundër Izraelit në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kryeministrit të huthëve, Ahmed Ghaleb al-Rahaëi dhe disa zyrtarëve të lartë gjatë një sulmi ajror izraelit javën e kaluar.
“Një plagë errësire, një plagë e të parëlindurve – do t’i përfundojmë të gjitha 10 plagët”, shkroi Katz në platformën X, duke iu referuar fatkeqësive biblike të përmendura në Librin e Eksodit.
Ushtria izraelite konfirmoi të enjten se një raketë e lëshuar nga Jemeni kishte rënë jashtë territorit të Izraelit, ndërsa një ditë më parë njoftoi se kishte neutralizuar dy raketa të tjera të rebelëve. Rebelët Huthi morën gjithashtu përgjegjësinë për një sulm ndaj një anije izraelite në Detin e Kuq.
Që prej shpërthimit të luftës në Gaza në tetor 2023, Huthët kanë ndërmarrë sulme të përsëritura ndaj Izraelit, duke i cilësuar ato si mbështetje për palestinezët. Grupi, i cili kontrollon pjesë të mëdha të Jemenit, ka shënjestruar gjithashtu transportin detar ndërkombëtar në Detin e Kuq, duke detyruar SHBA-në të ndërhyjë me sulme ajrore në fillim të vitit.
Edhe pse një armëpushim i ndërmjetësuar nga Omani mes Huthive dhe SHBA-së solli një pauzë të përkohshme në bombardime, rebelët deklaruan se marrëveshja nuk përfshin operacionet kundër Izraelit. Për pasojë, sulmet e tyre kanë vijuar, ndërsa Izraeli ka kundërpërgjigjur me goditje të përsëritura në portet dhe kryeqytetin Sanaa, të kontrolluar nga rebelët.