Furnizim për oligarkët/ Hoxha: Nëse Rama de e bëjë projektin famëkeq, Tragjasi, Orikumi dhe Radhima do mbeten pa ujë
I ftuar në emisionin e mëngjesit KAFE SHQETO ne Syri tv ishte Këshilltari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Vlorës Atird Hoxha i cili ka komentuar operacionet e Ramës sidomos këtë të fundit për ujin e pijshëm.
Në bisedë me moderatorin e emisionit Flavio Qarri, Hoxha tha se opozitarizëm në Vlorë ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë.
Atird Hoxha: Asnjë nga ata njerëz që janë rreshtuar me Ramën, nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e Partisë Demokratike, të atashuar tek PD, të paktën në tre fushatat e fundit. Kështu që për këtë pjesë i kemi dhënë shpjegimet edhe unë edhe autoritetet vendore këtu në degën e Partisë Demokratike. Dhe sa i përket opozitarizmit siç thashë, ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë. Kësaj here ne kemi vazhduar të bëjmë pjesën që na takon për të përfaqësuar qytetarët e ndershëm të qarkut të Vlorës sepse nuk mundet kurrsesi një qeveri, ju e patë atë shfaqjen e shëmtuar gjatë asaj konferencës se famshme për reforme e ujësjellës dhe kanalizime dhe ku edhe Balluku edhe Rama insistuan që vendburimi në fshatin Tragjas do të merret sepse, Rama me batudën e atij që burimi nuk është më i atij që është më afër por është i qeverisë, janë të tijat, dhe ai vendos se si do të zhvillohet më tej territori por unë mendoj që uji në këtë territor, unë e kam ngritur edhe në mbledhjen e Këshillit bashkiak. Kam kërkuar edhe nga kryetari i bashkisë, edhe nga këshilltarë të majtë të kemi një qëndrim të unifikuar sepse është jetësor uji për fshatin Tragjas dhe jo vetëm. Sepse flitet sikur është vetëm një fshat dhe dikush që nuk e di gjeografikisht se si është e përbërë ajo zonë, furnizon Orikumin dhe 90 për qind të fshatit Radhimë që janë të tëra këto zona të dedikuara turizmit dhe që kanë një zhvillim këto vitet e fundit dhe sektori privat dhe qytetarët kanë ndërtuar ato bizneset e vogla familjare për të krijuar të ardhura për familjet e tyre. Janë zhvilluar bile edhe biznese të mëdha deri në resorte të cilat funizohen pikërisht nga ky burim.
Nga diskutimet që ne kemi patur edhe me banorë të kësaj zone, ata kanë bërë edhe matjet private, të cilat rrëzojnë absolutisht propagandën e Ballukut dhe të Ramës kur ata pretendojnë se ky burim është i mjaftueshëm për të bërë devijimin e një sasie te konsiderueshme rreth 400 apo 500 litra ujë në sekondë nga ky vendburim.
Dhe unë mund të ju them me siguri të plotë se ky vendburim, në matjet e fundit që janë bërë në qershor, korrik, gusht, privatisht nga banorët, nuk i kalon 600 litrat e ujit në sekondë. Dhe në qoftë se Rama dhe të tijët do ta çojnë deri në fund ketë projekt famëkeq, do thoja unë, absolutisht që fshati Tragjas, Orikumi dhe Radhima do të kenë një fund shumë të hidhur sepse do të mbeten pa ujë.