A është e sigurt të hash vezë çdo ditë?
Vezët, të cilat prej kohësh kanë qenë një nga ushqimet më të preferuara dhe të pasura me proteina, vitamina e minerale, shpesh kanë pasur reputacion të keq për shkak të përmbajtjes së kolesterolit.
Megjithatë, udhëzimet më të fundit dietike dhe studimet shkencore po hedhin dritë mbi përfitimet e tyre, duke treguar se konsumimi i moderuar i vezëve është i sigurt dhe madje i dobishëm për shëndetin.
Një vezë përmban rreth 180–200 mg kolesterol, por kërkimet e fundit tregojnë se ky lloj kolesteroli ka pak ndikim në rritjen e kolesterolit “të keq” LDL në gjak. Studimet kanë zbuluar se ngrënia e një deri në gjashtë vezëve në javë mund të ulë rrezikun e vdekjes nga sëmundjet e zemrës dhe goditja në tru. Edhe Shoqata Amerikane e Zemrës (AHA) e mbështet konsumin e një deri në dy vezëve në ditë si pjesë e një diete të shëndetshme.
Vezët ofrojnë proteina cilësore, yndyrna të shëndetshme, si dhe minerale e vitamina të rëndësishme, duke përfshirë selenin, kolinën, hekurin, vitaminat A, D, E, K dhe B12, si dhe antioksidantët luteinë e zeaksantinë, të cilat ndihmojnë shëndetin e syve. Të bardhat e vezëve përmbajnë më shumë proteina, ndërsa të verdhat janë të pasura me vitamina, kolinë dhe yndyrna të shëndetshme.
Nutricionistët theksojnë se mënyra e gatimit ka rëndësi: vezët e ziera janë më të shëndetshme, ndërsa skuqja në gjalpë shton yndyrna të ngopura. Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se duhet pasur kujdes me shoqëruesit – si proshutë, djathë apo gjalpë – të cilët mund të shtojnë rreziqet shëndetësore.
Megjithëse shumica e të rriturve mund të konsumojnë vezë çdo ditë, njerëzit me kolesterol të lartë, sëmundje të zemrës ose diabet këshillohen të konsultohen me mjek përpara se t’i përfshijnë rregullisht në dietë.
Pra, a është e shëndetshme të hash vezë çdo ditë? Për shumicën e njerëzve, përgjigjja është po, por gjithmonë në kuadër të një diete të ekuilibruar dhe të larmishme.