Giorgio Armani dhe Olimpia Milano, një histori pasioni dhe suksesi në basketboll

Lidhja mes Giorgio Armanit dhe Olimpia Milano ka qenë një nga kapitujt më të rëndësishëm të sportit italian. Stilisti i madh, i cili ndërroi jetë më 4 shtator 2025 në moshën 91-vjeçare, bleu klubin e basketbollit në vitin 2008, në një moment të vështirë për skuadrën. Ajo që fillimisht ishte një pasion personal, u shndërrua në një projekt afatgjatë që riktheu Milanin e basketbollit në majën e sportit italian dhe europian.

Nën drejtimin e Armanit, Olimpia Milano u bë ekipi më i titulluar në Itali, duke fituar sërish kampionate, Kupa Italie dhe Superkupa. Vetë Armani e shihte sportin si pjesë të pandarë të jetës dhe punës së tij: nga frymëzimi për linjat e modës sportive EA7, deri te mesazhet mbi disiplinën, korrektësinë dhe forcën e shpirtit ekipor. “Kur vendosa ta blej Olimpia-n, doja t’i jepja qytetit dhe tifozëve një projekt të denjë për historinë e këtij klubi”, kujtonte ai, duke pranuar se sukseset kishin ardhur pas shumë vitesh përpjekjesh dhe strategjish.

Një moment kulmor ishte në vitin 2014, kur pas 18 vitesh mungesë, Olimpia fitoi scudetton e 26-të. Armani e përshkroi atë si një nga emocionet më të forta të jetës së tij, teksa mijëra tifozë pushtuan parketin me lot, këngë dhe festë. Për të, basketbolli ishte metaforë e jetës: lojë dinamike, e shpejtë, me vlera të forta kolektive.

Ai e shihte basketbollin edhe si mjet edukimi. Përmes sektorit junior, mbi 50 mijë të rinj afroheshin çdo vit me këtë sport, ndërsa Armani punoi për të promovuar një model të qëndrueshëm tifozerie, larg dhunës që shpesh shoqëron futbollin. Rreth 40% e publikut të Olimpia-s ishin gra, gjë që e bënte klubin një hapësirë të hapur dhe gjithëpërfshirëse.

“Jam si një playmaker”, thoshte Armani, duke e lidhur rolin e tij në modë me atë në sport: vizionar, drejtues dhe gjithmonë i aftë të shihte përtej parketit. Olimpia Milano e epokës Armani nuk ishte vetëm një skuadër fituese, por edhe një model kulturor e shoqëror i bazuar mbi respekt, pasion dhe elegancë.