SYRI TV/ 'Në emër të popullit'/ Favorizim krimit, burg qytetarëve! Qeveria s’tërhiqet nga propozimi fillestar i Kodit të ri Penal
Qeveria dhe grupi i ekspertëve që hartuan Kodin e ri Penal, me konsiderimin e sjelljeve shoqërore si vepra penale, nuk tërhiqen nga propozimi fillestar. Hartuesit organizuan këtë të enjte një tryezë për të justifikuar Kodin represiv, ku Arben Rakipi, si drejtues i grupit të punës, iu kundërvu çdo kritike, duke i cilësuar ato politike. Sipas Rakipit, pëlqimin do ta japin qytetarët përmes një sondazhi, ndërsa theksoi se kriminalizimin e shpifjes e bëri për të mos i lënë gazetarët të ndiheshin të fyer nga përjashtimi që mund të kishin nga ky nen.
Qeveria shqiptare dhe grupi i ekspertëve i drejtuar nga Arben Rakipi nuk tërhiqen nga Kodi i ri Penal, pavarësisht kontestimeve dhe kritikave të shumta. Në përgjigje të këtyre kritikave, hartuesit e kodit u mblodhën këtë të enjte, ku, ndonëse njoftuan mediat në minutën e fundit për të ndarë pikëpamjet, nuk lejuan diskutime. Në tryezë folën vetëm Arben Rakipi dhe Ulsi Manja.
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës lëshoi një deklaratë të papritur, duke e bërë fakt të kryer dënimin për shpifje. Ai argumentoi se gazetarët do të ndiheshin të fyer nëse nuk futen në burg, duke folur për këtë vepër dhe për atë të prostitucionit.
Drejtori i Magjistraturës renditi një sërë parashikimesh të Kodit të ri Penal, i cili ul dënimet për pastrim parash, trafikim narkotikësh apo për posedim armësh, ndërsa i rrit ato për vjedhje.
Arben Rakipi theksoi se, para se ky draft të kalojë në Kuvend, mes kritikave dhe polemikave shqetësuese nga palët e interesit dhe veçanërisht nga ekspertët e fushës, do t’i drejtohen shoqërisë përmes sondazheve qeveritare.
Ndërkohë, Ulsi Manja deklaroi se foli në emër të BE-së, por pranoi se ky kod nuk është konsultuar me ekspertë të huaj, përveçse pas hartimit iu vu në dispozicion disa ekspertëve italianë.
Janë parashikuar 25 tryeza të tjera për t’u mbajtur në vijim për diskutimet mbi këtë draft, mes kontestimeve për parashikimet represive dhe insistimit me çdo kusht të qeverisë për ta kaluar në Kuvend.