SYRI TV/ Gjysma e Tiranës pa ujë në rubineta, mungesë edhe në zonën e Komunës së Parisit
Prej disa ditësh, zona të ndryshme në Tiranë vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Autoritetet e justifikojnë mungesën e ujit me një defekt, por situata problematike është e shtrirë thuajse në të gjithë kryeqytetin. Ankesat e banorëve kanë rënë në vesh të shurdhër, ndërsa e vetmja zgjidhje për plotësimin e nevojave mbeten bidonat e ujit me pagesë në marketin e lagjes.
Prej ditës së djeshme, banorë të disa lagjeve në kryeqytet, si Komuna e Parisit, Qyteti Studenti apo edhe një pjesë e zonës së Rrugës së Durrësit, vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Edhe pse UKT ka njoftuar për një defekt dhe se po punohet për riparimin e tij, gjatë ditës së sotme, në zonën e Qytetit Studenti uji ka ardhur për vetëm dy orë në orët e para të mëngjesit; aktualisht sërish nuk ka ujë.
Ndërkohë që kryeministri Edi Rama flet për Shqipërinë e 2030-ës dhe për faktin se Bashkimi Europian po na zvarrit integrimin, kryeqyteti duket se ende jeton si në mesjetë, për shkak të mungesës së kushteve më minimale.
Prej javësh, banorët e Tiranës vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Në temperatura ekstreme dhe me nevojën për të mbajtur higjienën, qytetarët detyrohen të blejnë bidona uji në dyqanet e lagjeve.
Pa ujë të pijshëm janë zona të mëdha, ndërsa UKT duket e pafuqishme për të plotësuar nevojat më minimale.
Në redaksinë e Syri TV kanë mbërritur ankesa të shumta, jo vetëm për mungesën e ujit, por edhe përballjen me neglizhencën e institucioneve për të dëgjuar ankesat apo për të sinjalizuar problemin. Edhe tentativa e bërë nga gazetarët rezultoi e dështuar, pasi numri i kontaktit i vënë në dispozicion nga UKT del i padisponueshëm.
Si shkak për mungesën e ujit cilësohen defektet teknike, por situata është e pazgjidhur prej vitesh, dhe sipas burimeve nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, shkaku real është mungesa e infrastrukturës dhe mosmarrja e masave të duhura për përballimin e stinës së verës.