Letra e turpit për BE-në/ Vuçiç në panik, i ankohet von der Leyen, teksa policia e tij akuzohet për dhunë barbare ndaj studentëve

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili po përballet me protesta të mëdha studentore dhe revoltë qytetare, ka zgjedhur t’i ankohet Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Në letrën e tij të 21 gushtit, Vuçiç përpiqet të viktimizohet duke e paraqitur Serbinë si “shënjestër të grupeve ekstremiste” dhe duke justifikuar brutalitetin e policisë, të cilën ai e cilëson “maksimalisht të përmbajtur”.

Në realitet, dëshmitë dhe kallëzimet penale zbulojnë një tjetër panoramë: Njësia e Sigurisë për Persona të Caktuar (JZO), e komanduar nga Marko Kriçko, akuzohet për dhunë çnjerëzore ndaj protestuesve. Studentë e qytetarë të ndaluar raportojnë se janë rrëmbyer në rrugë, dërguar në garazhin e ndërtesës së qeverisë dhe aty janë gjunjëzuar, shkelmuar, goditur, kërcënuar me armë dhe iu janë thyer telefonat.

Rasti më tronditës është ai i studentes Nikolina Sinđeliç, e cila ka dëshmuar se vetë Kriçko e ka goditur me shuplakë, i ka përplasur kokën në mur dhe e ka kërcënuar se do ta “zhviste e përdhunonte para të gjithëve”. Për këtë krim, avokati i saj Aleksandar Ivanoviç ka depozituar kallëzim penal më 26 gusht, ndërsa edhe partia opozitare Srce ka paditur Kriçkon dhe njësinë e tij.

Përkundër këtyre akuzave alarmante, Vuçiç i ka fshehur të dhënat nga BE-ja, duke akuzuar opozitën dhe mediat se manipulojnë opinionin publik. Ky veprim shihet si një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar krimet e policisë së tij dhe për të ruajtur imazhin e tij në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, Serbia po fundoset gjithnjë e më thellë në krizë politike e demokratike, me një regjim që përpiqet të mbajë pushtetin me dhunë, frikësim dhe represion brutal ndaj qytetarëve të vet.