'12 vite mashtrim...'/ PL: Operatori Kombëtar i Ujit, një tjetër skemë për të centralizuar pushtetin dhe fondet
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, znj. Brunilda Haxhiu, në një deklaratë për mediat tha se qytetarët janë përballur vazhdimisht me mungesë furnizimi me ujë të pijshëm, problem që ditët e fundit është bërë edhe më i theksuar.
Ajo theksoi se kjo situatë nuk lidhet me defekte teknike, por është pasojë direkte e keqmenaxhimit dhe abuzimit politik me shërbimin e ujësjellës-kanalizimeve.
Sipas saj, ky sektor është kthyer në një instrument punësimesh politike dhe jo në një shërbim bazë për qytetarët.
Pas kalimit të ujësjellësit nga varësia e bashkive në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, problemet janë shtuar, ndërsa me krijimin e Operatorit Kombëtar të Ujit, bashkive po u hiqen të gjitha kompetencat.
Pjesë nga deklarata:
Prej 12 vitesh, Edi Rama ka premtuar ujë të pijshëm 24 orë për çdo familje shqiptare. Sot, jo vetëm që uji i rubinetit është i papijshëm, por qytetarët përballen çdo ditë me ndërprerje të vazhdueshme të ujit.
Edi Rama jo vetëm që nuk mban asnjë përgjegjësi për dështimin spektakolar të qeverisë dhe të bashkiakëve që i shërbejnë, por fshihet pas prezantimit të të ashtuquajturit Operator Kombëtar të Ujit . Kjo reformë është si cdo ramaforme, një përqendrim i rrezikshëm i pushtetit dhe i fondeve publike në duart e tij dhe të oligarkëve të qeverise.
Kjo reformë i lë bashkitë pa kompetenca, qytetarët pa shërbim, ndërsa klientela politike pasurohet çdo ditë.
Në këto 12 vite, miliona euro janë shpenzuar në emër të “investimeve” në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, por ajo që ka mbetur si trashëgimi janë aferat e mëdha korruptive dhe rroga të fryra për patronazhistë. Shqiptarët nuk kanë parë asnjë përmirësim në furnizim, përkundrazi, cilësia e jetës së tyre është përkeqësuar ndjeshëm.
Qytetarët janë përballur vazhdimisht me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, mungesë e cila ditët e fundit është shtuar edhe më shumë. Kjo situatë e përsëritur nuk është për shkak të një problemi teknik, por pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimit politik me ujësjellësin.
Në vend që të shërbejë për qytetarët, ujësjellësi është kthyer në një depo punësimesh politike. Pas kalimit të tij nga varësia e Bashkisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, problemet vetëm sa janë shtuar. Bashkisë iu reduktuan kompetencat për menaxhimin e këtij shërbimi jetik, dhe qeveria qendrore e ktheu ujësjellësin në një instrument për patronazhistë dhe militantë partiakë. Ndërsa tani , me Operatorin Kombëtar të Ujit, kompetencat e bashkisë thuajse asgjesohen.
Në të gjithë Shqipërinë ka mungesë furnizimi dhe humbje masive teknike të ujit, të cilat arrijnë deri në 70% në zonat periferike sipas Entit Rregullator të Ujit.
Ujësjellës kanalizime është shoqëruar nga administrata e fryrë dhe keqmenaxhimi. Ndërkohë që qytetarët vuajnë mungesën e ujit, Shpenzimet shkojnë për paga të administrates së fryrë dhe jo për investime reale në përmirësimin e rrjetit.
Qytetarët faturohen në mënyrë të paqartë dhe me tarifa të larta. Rreth 32% e konsumatorëve nuk kanë matës uji, ndërkohë që faturat bazohen në vlerësime arbitrare.
Çmimi i ujit vazhdon dhe rritet edhe pse cilësia e ujit dhe shërbimit mbetet e dobët.
Tallja me qytetarët vazhdon. Rama në vend që të kërkojë falje dhe të mbajë përgjegjësi për dështimin e ujësjellës kanalizimeve, shpik struktura të reja qendrore, duke rrënuar vetëqeverisjen vendore dhe duke e kthyer çdo shërbim jetik në monopol të qeverisë së tij.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për hapjen e institucioneve te reja , si Operatori Kombëtar I Ujit, që të funksionojnë me të njëjtën skemë korruptive, por kësaj radhe të përqendruar totalisht në duart e qeverisë. Ata duan ujë të pijshëm në rubinetat e tyre, 24 orë në ditë.
Pas 12 vitesh dështimesh, Rama ka vetëm një bilanc për t’u treguar shqiptarëve: varfëri, korrupsion dhe tallje në vend të mirëqenies, shërbimit dhe përgjegjësisë.