VIDEO/ Dalin pamjet nga arrestimi i ‘Kimikut’, nyjës kyçe të karteleve shqiptare
Goditet mafia shqiptare! Kapet në Bogota alias ‘El Químico’, një lidhje kyçe mes mafieve të Ballkanit dhe rrjeteve kriminale në Amerikën e Jugut, duke koordinuar ngarkesat nga Paqësori i Kolumbisë drejt Evropës
Nga Sara Cespedes, MINUTO30
Në një operacion të koordinuar në nivel ndërkombëtar, Policia Kombëtare e Kolumbisë, në bashkëpunim me zyrat e Interpolit të Kolumbisë, Ekuadorit dhe Shqipërisë, arrestoi në Bogota Samir Rosales Rodríguez, i njohur me nofkën ‘El Químico’ (Kimiku).
Ky qytetar kolumbian ishte i kërkuar me Njoftim të Kuq nga autoritetet shqiptare, të cilat e akuzonin për pjesëmarrje në Kartelin e Ballkanit dhe në veprime kriminale të lidhura me trafikun e narkotikëve dhe organizatat kriminale transnacionale.
Sipas hetimeve, ‘El Químico’ punonte si ekspert teknik në nxjerrjen e kokainës. Detyra e tij ishte të udhëtonte në Evropë për të drejtuar procesin kompleks të rikuperimit të drogës, e cila ishte maskuar në substanca të ndryshme, kryesisht në ngarkesa plehrash organikë.
Falë njohurive të tij, ai u bë një nyjë kyçe për mafien shqiptare që kishin prezencë në Amerikën e Jugut, pasi lidhte direkt prodhimin në Kolumbi me tregjet evropiane.
Raportet e inteligjencës konfirmuan se Rosales koordinonte dërgimin e sasisë së madhe të drogës nga Oqeani Paqësor i Kolumbisë, veçanërisht nga porti i Buenaventurës, drejt vendeve si Shqipëria, Greqia dhe Mali i Zi.
Për të kryer këto operacione, ai përdorte kompani fasadë që shërbenin për të fshehur natyrën e vërtetë të ngarkesave dhe për t’i shpëtuar autoriteteve.
Arrestimi i ‘El Químico’ përfaqëson një goditje të rëndë për rrjetin e trafikut të drogës të Ballkanit dhe forcon efektivitetin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.
Duke qenë një pjesë strategjike brenda strukturës kriminale, arrestimi i tij konsiderohet një objektiv me vlerë të lartë në përpjekjet e përbashkëta kundër mafieve transnacionale.