Denoncimi i pazakontë në Shkodër, qytetari: Një person ka nxjerrë ID me të dhënat e mia...

Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër është paraqitur shtetasi P. Gj., 57 vjeç, banues në Shkodër, i cili ka bërë një kallëzim në lidhje me një rast të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve të identitetit.

Sipas kallëzimit të bërë nga 57-vjeçari, në vitin 2011, një shtetas i panjohur ka aplikuar dhe është pajisur në mënyrë të paligjshme me dokumente identifikimi, duke përdorur të dhënat e tij personale.

Sipas tij, ky veprim është kryer pa dijeninë dhe pa miratimin e tij, çka përbën vepër penale.

Policia e Shkodrës ka nisur menjëherë hetimet për rastin dhe po punon për identifikimin e autorit të dyshuar si dhe për të zbardhur rrethanat në të cilat është realizuar ky falsifikim.

Gjithashtu, po verifikohen të gjitha dokumentet përkatëse dhe gjurmët e mbetura në sistemet përkatëse të aplikimit për dokumente të identitetit.