Zvicër-Kosovë me stadium plot, shiten të gjitha biletat në ‘St. Jakob-Park’

Interesimi për të parë ndeshjen mes Zvicrës dhe Kosovës është i madh.

Media zvicerane “Blick” raporton se tashmë janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen e nesërme mes Helvetikëve dhe Dardanëve, e cila do të luhet në Basel, përcjell “Gazeta Express”.

Pra, stadiumi “St. Jakob-Park” do të jetë i stërmbushur.

Natyrisht, një pjesë e madhe e shikuesve gjithsesi pritet të jenë mërgimtarë që jetojnë në Zvicër dhe nga vendet tjera të Evropës.

Media zvicerane e përmend edhe faktin se kjo pritej pasi edhe në kualifikimet e Kampionatit Evropian, në nëntor të vitit 2023, ishte mbushur stadiumi.

Gjithashtu, “Blick” ka njoftuar se për ndeshjen e Zvicrës me Slloveninë, që do të luhet të hënën që vjen, janë shitur vetëm 8 mijë bileta deri tani nga 33,996 të mundshme.

Kosova do ta nisë kampanjën kualifikuese të Botërorit 2026 nesër mbrëma me ndeshjen ndaj Zvicrës.

Futbollistët “Dardanë” presin mbështetje të madhe të publikut shqiptar në këtë takim, i cili do të nisë në orën 20:45.

Më pas, Kosova të hënën që vjen do ta presë Suedinë në Prishtinë.