Gjysmë rroge dhe 1,8 milionë euro, në Turqi zbulojnë detaje të reja për Muçin. Në garë edhe një skuadër e Superligës

Ernest Muçi është shumë pranë largimit nga klubi i Beshiktashit. Për këtë insistojnë mediat në Turqi, të cilat gjatë gjithë ditës kanë publikuar lajme për negociatat e Beshiktashit me klubin e Rubin Kazan.

Klubi rus ku luan Mirlind Daku, bëhet e ditur se ka shfaqur interes për sulmuesin, por nuk ka një akord financiar mes palëve. Rubin Kazan ka kërkuar futbollistin në huazim, duke qenë i gatshëm të paguajë gjysmën e rrogës të Muçit gjatë periudhës së qëndrimit. Por nga ana tjetër, Beshiktashi jo vetëm kërkon t’i paguhet rroga e plotë, por edhe një shifër prej 1,8 milionë eurosh si shpërblim për këtë marrëveshje.

Sipas mediave turke, në garë ka hyrë edhe një ekip i Superligës Turke që interesohet për lojtarin, ashtu si edhe klube nga kampionate ku merkato mbetet e hapur. Në Turqi, merkate është e hapur deri më datë 12 shtator, por raportohet se vendimi për të ardhmen e tij, do të merret nesër, pasi si klubi, ashtu edhe lojtari, duan që të kenë idenë e qartë për vijimësinë e sezonit.