Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së 'kërcënon' Maduron për operacionin pranë Venezuelës: Ishte vetëm fillimi
Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi të mërkurën se operacionet ushtarake kundër trafikantëve të drogës nuk do të ndalen me sulmin e së martës ndaj një anijeje venezueliane.
Forcat e armatosura amerikane goditën një “anije që transportonte drogë” që ishte nisur nga Venezuela, siç njoftoi Presidenti i SHBA-së Donald Trump, si pjesë e një operacioni në Karaibe që Karakasi e denoncoi.
“Ne kemi bazë ajrore, nënujore dhe anije atje, sepse ky është një mision shumë serioz për ne dhe nuk do të ndalet vetëm me këtë sulm”, tha Hegseth.
“Kushdo tjetër që trafikon ilegalisht në këto ujëra territoriale dhe të cilin ne e dimë se është një narko-terrorist i përcaktuar do të përballet me të njëjtin fat”, shtoi Ministri i Mbrojtjes.
Uashingtoni kohët e fundit ka vendosur të paktën shtatë anije luftarake në Karaibe, duke përmendur një operacion në kontekstin e trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa Trump akuzon presidentin venezuelian Nicolas Maduro dhe anëtarët e qeverisë së tij për drejtimin e “karteleve” të drogës.
Tensionet midis Uashingtonit dhe Karakasit vazhdojnë të përshkallëzohen, pasi, sipas raportimeve të shtypit, SHBA-të kanë dërguar një armatë anijesh luftarake në Karaibe, pranë brigjeve të Venezuelës, në atë që e përshkruajnë si një operacion për të kapur drogën që trafikohet përmes vendit të Amerikës Latine, disa javë pasi rriti në 50 milionë dollarë shpërblimin që ofron për arrestimin e Presidentit Maduro, të cilin e quan një udhëheqës karteli “në arrati”.