Liverpool bën surprizën e madhe, Chiesa jashtë listës së Champions-it, përfshihet talenti 17-vjeçar
Një vendim i papritur ka tronditur ambientin te Liverpool: Federico Chiesa nuk është përfshirë në listën e UEFA-s për fazën e grupeve të Champions League. Sulmuesi italian, i ardhur nga Juventus, kishte treguar sinjale inkurajuese në fillim të sezonit, duke u aktivizuar si zëvendësues në tri ndeshjet e para të Premier League-s, por kjo nuk ka mjaftuar për t’i siguruar vendin në Europë.
Në vend të tij, ‘The Reds’ kanë vendosur të regjistrojnë Rio Ngumoha, sulmues premtues i lindur në vitin 2008. Edhe pse ende 17 vjeç, Ngumoha nuk mund të llogaritet si “homegrown” sipas kritereve të UEFA-s, pasi nuk ka kaluar mjaftueshëm vite te Liverpooli. Për këtë arsye, ai ka zënë një nga 17 vendet e dedikuara për lojtarë “jolokalë”, duke lënë Chiesa-n jashtë listës.
UEFA lejon që lista A të përmbajë maksimumi 25 lojtarë, prej të cilëve tetë të jenë të formuar në vend. Liverpool-i i ka mbushur të gjitha hapësirat, duke zgjedhur të investojë në të ardhmen me Ngumoha-n dhe duke përfituar nga fakti që Jeremie Frimpong mund të regjistrohet si lojtar i rritur në Angli, falë viteve të tij në akademinë e Manchester City-t.
Ky vendim i trajnerit Arne Slot dhe klubit do të thotë se Chiesa nuk do të ketë mundësi të luajë në Champions League të paktën deri në muajin shkurt, kur UEFA lejon përditësimin e listës në rast kualifikimi në fazën me eliminim direkt. Për momentin, italiani duhet të përqendrohet te Premier League dhe kupat vendore, për të bindur stafin teknik se meriton një tjetër shans në Europë.
Një vendim që ka habitur tifozët, por që tregon qartë se Liverpooli është i gatshëm të sakrifikojë një emër të madh për t’i hapur rrugën një talenti të së ardhmes.