Media propagandistike e PKK-së kineze përhap mesazhe demokratike në rrjete sociale, punëson staf liberal

Nga Robert Schmad/

China Global Television Network (CGTN), një rrjet mediatik i drejtuar nga Partia Komuniste e Kinës, gjatë muajit gusht publikoi dhjetëra video në rrjete sociale që përsërisnin mesazhe të përdorura nga demokratët amerikanë, sipas një hulumtimi të bërë nga Washington Examiner. Punonjësit e këtij rrjeti gjithashtu duken se kanë bindje politike të majta, duke gjykuar nga aktiviteti i tyre online.

CGTN, një nga mediat më të mëdha shtetërore kineze, kontrollohet nga Departamenti Qendror i Propagandës i PKK-së dhe në vitin 2020 u klasifikua si “mision i huaj” nga Departamenti i Shtetit amerikan. Kohët e fundit, rrjeti ka shpërndarë retorikë të ngjashme me atë të politikanëve e aktivistëve demokratë, veçanërisht për çështje si ndryshimet klimatike, tensionet racore, prania e policisë në Uashington D.C., tarifat tregtare, lufta në Gaza dhe emigracioni.

Një rast i tillë ishte kur CGTN shpërndau një intervistë me profesorin e së drejtës dhe ish-prokurorin federal Paul Pelletier, ku ai e krahasoi Donald Trump-in me Adolf Hitlerin për shkak të planit të Trump-it për të audituar muzetë që administrohen nga Smithsonian.

“Është e pazakontë në historinë amerikane që presidentët ose politikanët të përfshihen në mënyrën si një muze kuron artin dhe historinë e tij,” tha Pelletier në intervistën e publikuar nga CGTN America më 15 gusht. “[Trump] synon ta pastrojë historinë, për ta pasqyruar si diçka jo të vërtetë dhe ideologjike, jo historike. Dhe kemi një shembull, jo të afërt, por historik: në vitin 1937 kur Hitleri mori nën kontroll të gjithë muzetë në Gjermani dhe urdhëroi të hiqej i gjithë arti që e quante ‘degjeneruar’.”

Kjo lloj retorike partizane nuk kufizohej vetëm në atë video. Gjatë muajit gusht, CGTN publikoi video të shumta që përputheshin me kritikat e së majtës kundër presidentit.

Për shembull, sapo u njoftua se Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE) kishte arrestuar Kilmar Abrego Garcia-n me plan për ta deportuar, CGTN shpërndau një video plot dhembshuri të emigrantit të paligjshëm nga Salvadori. Përveç kësaj, CGTN publikoi video ku protestuesit anti-Trump përshkruheshin si “aktivistë pro-demokracisë”, veprimet e Izraelit në Gaza cilësoheshin si “mizoritë më të mëdha dhe më serioze në historinë moderne”, ndërsa prania e policisë së Trump-it në D.C. shihej si një “shpërqendrim” nga lidhjet e tij të dyshuara me Jeffrey Epstein-in.

Korporata mediatike e kontrolluar nga PKK-ja shpërndau gjithashtu një video ku thuhej se “fuqia e Amerikës u ndërtua mbi skllavërinë”.

Videot e CGTN America u shpërndanë në rrjetet e saj të mëdha sociale: 1.6 milion ndjekës në Facebook, 755 mijë abonentë në YouTube, 289 mijë në Instagram dhe rreth 285 mijë në X (ish-Twitter). Llogaria kryesore e CGTN-së, me mbi 125 milion ndjekës në Facebook, herë pas here promovon përmbajtje të CGTN America-s.

Në platformat e Meta-s (Facebook dhe Instagram), përdoruesve u shfaqet paralajmërimi se CGTN është “media e kontrolluar nga shteti kinez”. Edhe YouTube thekson se “CGTN financohet tërësisht ose pjesërisht nga qeveria kineze”. Në X nuk ka asnjë paralajmërim të tillë.

Një studim akademik i vitit 2022 nga studiues në King’s College, Londër, tregoi se CGTN synon të prodhojë përmbajtje që e paraqet SHBA-në si “të keqmenaxhuar, plutokrate, raciste dhe faktor destabilizues global”, ndërsa Kinën si “të mirëqeverisur, të qëndrueshme dhe një superfuqi në ngritje”. Videot e fundit të CGTN-së që akuzojnë politikat e Trump-it për shkatërrim të ekonomisë amerikane ose diskriminim, të kombinuara me materiale që tregojnë arritjet teknologjike të Kinës, e shërbejnë këtë qëllim.

Kjo prirje liberale e mbulimit nga CGTN përputhet edhe me bindjet e disa gazetarëve të saj.

Elliott Wallace, producent në internet për CGTN America, ka shkruar artikuj kritikë ndaj “fiksimit” të Amerikës pas armëve, ka përhapur ide që SHBA duhet të bëjë më shumë për barazinë racore, është ankuar për “përvetësim kulturor” dhe ka thënë se “nacionalizmi i bardhë” është një kërcënim për vendin. Owen Fairclough, korrespondent i lajmeve të biznesit, liston përemrat e tij të gjinisë në profilin e LinkedIn-it. Toni Waterman, bashkëpunëtore e pavarur me rrjetin, ka postuar shpesh kritika ndaj presidentit në rrjete sociale. Kate Fisher, një tjetër gazetare e pavarur që punon me CGTN-në, po ashtu ka një histori aktiviteti liberal në rrjetet sociale.

CGTN nuk iu përgjigj kërkesës për koment./WashingtonExaminer - Syri.net