Pas bllokimit të pjeshkëve, Kroacia asgjëson 4 ton domate shqiptare nga Berati me pesticide të rrezikshme

Autoritetet kroate pas bllokimit të ngarkesës me pjeshkë  të nisura nga Shqipëria, pasi frutat kanë rezultuar të kontaminuara me metale nikeli, ka bllokuar dhe asgjësuar edhe 4 ton domate të prodhuara në Berat, pasi analizat laboratorike zbuluan nivele shumë të larta të insekticidit chlorfenapyr, një substancë tepër toksike e përdorur për shfarosjen e insekteve. Sipas njoftimit të EFSA-s (Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore), ngarkesa maksimale e lejuar për këtë pesticid është 0.01 mg/kg, ndërsa në domatet shqiptare u gjetën nivele prej 0.06 mg/kg, që është pesë herë mbi normën e sigurisë.

Domatet e kontaminuara u groposën nga autoritetet kroate, duke parandaluar kështu futjen e tyre në tregun europian dhe rrezikun që mund të paraqisnin për shëndetin e konsumatorëve.

LEXO EDHE: Kroacia bllokon ngarkesën me pjeshkë të nisura nga Shqipëria, rezultuan me metale nikeli

Në të njëjtën ditë, autoritetet kroate bllokuan dhe asgjësuan edhe 5 ton pjeshkë të importuara nga Divjaka, pasi u konstatua prezenca e lartë e metalit të rëndë nikel, duke ngritur shqetësime të mëtejshme për cilësinë e produkteve shqiptare në tregun ndërkombëtar.

Ky skandal vjen në një kohë kur eksportet shqiptare po kërkojnë forcimin e standardeve dhe kontrollit për të siguruar cilësinë dhe sigurinë e produkteve, në mënyrë që të mbrojnë reputacionin dhe të shmangin dëmtimet financiare dhe të besueshmërisë në tregjet e huaja.