Koundé, kundër kalendarit të ngjeshur: Nuk jemi makina...

Mbrojtësi francez i Barcelonës, Jules Koundé, ka ngritur zërin kundër kalendarit gjithnjë e më të ngjeshur të futbollit modern, duke theksuar rrezikun që po përballen lojtarët profesionistë.

Nga nëntori i vitit 2023 e deri në dëmtimin që pësoi në majin e kaluar, Koundé ka qenë pothuajse gjithmonë në fushë, duke luajtur mbi 100 ndeshje radhazi dhe akumuluar më shumë se 6.500 minuta mes klubit dhe kombëtares, sipas të dhënave të FIFPro. Vetëm gjatë vitit 2024 ai regjistroi 5.872 minuta, një rekord botëror që, ndonëse tregon qëndrueshmërinë e tij, nxjerr në pah problemet e një kalendari gjithnjë e më të pamëshirshëm.

Në konferencën për shtyp nga grumbullimi me Francën, 26-vjeçari pranoi se edhe trupit të tij iu desh të dorëzohej në momentin më vendimtar të sezonit. “Ishte zhgënjyese, trupi im tha ndal. Nuk jemi makina,” u shpreh ai, duke paralajmëruar për kufijtë që po i vendosen futbollistëve.

Kundër kalendarit të stërngarkuar prej kohësh kanë reaguar edhe organizata si FIFPro dhe CIES, të cilat theksojnë se numri i ndeshjeve e tejkalon dukshëm mesataren e 45-50 takimeve në sezon. Sipas Koundé, futbolli po rrezikon të bjerë në “konsum të tepruar”, ku spektakli vihet mbi shëndetin e sportistëve.

Megjithatë, pavarësisht shqetësimeve, francezi mbetet optimist për të ardhmen. “Jam në një fazë ku po hyj në vitet e mia më të mira. Kam ende shumë uri dhe e nisim këtë sezon me dëshirë për të fituar, për të luajtur dhe për t’u përmirësuar,” përfundoi ai.