'160 milionë euro borxhe dhe asnjë përgjegjës', Hoxhaj: Reforma e ujësjellësave, dështim i madh dhe fasadë propagandistike
Në një intervistë për SYRI TV, me moderatore Armela Ferko, gazetari Julian Hoxhaj ndau detaje konkrete mbi dështimin e reformës së ujësjellësave dhe skandalin financiar që po kalon ky sektor.
Ai denoncoi faktin se pas shkrirjes së ndërmarrjeve ekzistuese dhe krijimit të të ashtuquajturave “ndërmarrje rajonale”, borxhi ndaj KESH dhe OSHEE-së ka arritur mbi 160 milionë euro, ndërkohë që qytetarët paguajnë më shumë për ujë dhe nuk marrin as shërbim.
Sipas Hoxhajt, kjo reformë është përdorur për emërime klienteliste dhe është menaxhuar nga njerëz të afërt me pushtetin, pa asnjë përgjegjësi ligjore për keqmenaxhimin dhe gjendjen e rëndë financiare të sektorit.
Pjesë nga deklarata:
Ky moment shënon pikën e kthesës sa i përket menaxhimit të shoqërive të ujësjellësve në vendin tonë. Kanë qenë mbi 50 ndërmarrje ujësjellësi deri në vitin 2022, kur qeveria, me një vendim, vendosi duke propaganduar akumulimin e borxheve, keqmenaxhimin, mosfunksionimin e ndërmarrjeve edhe për shkak të kritikave që vetë Rama u bënte, duke i akuzuar se drejtoheshin nga njerëz të paaftë dhe të korruptuar.
Por, për hir të së vërtetës, deri më sot Rama nuk ka atakuar asnjë emër drejtuesi ujësjellësi, as nuk e ka çuar atë në institucionet ligjzbatuese.
Në vitin 2021, pas një takimi që zëvendëskryeministrja Belinda Balluku zhvilloi në Durrës, në atë kohë UKD drejtohej nga Spartak Kovaçi, emër i trajtuar edhe në emisionin "PLUG". Ai është një lidhje e ngushtë e njerëzve të ministres Balluku është kushëri me deputetin e zgjedhur, ish-zëvendësministrin Ceno Klosi.
Nga UKD, për shkak të borxheve, qeveria vendosi të shkrijë ndërmarrjet e ujësjellësve, kryesisht në 61 bashkitë e vendit, për të krijuar 14 ndërmarrje rajonale. Në vitin 2023 u krijuan 13 ndërmarrje rajonale, ndërkohë që vetëm në Tiranë nuk u krijua një ndërmarrje rajonale, pasi Bashkia e Tiranës refuzoi. Kjo përkon me periudhën kur Erion Veliaj ishte në një "luftë të ftohtë" me Belinda Ballukun, dhe këtë e shprehu edhe ajo sot në deklaratën e saj.
Ndërmarrjet e reja të ujësjellësve që u krijuan, iu hoqën si kompetencë bashkive dhe 50% të aksioneve i mori Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, ndërsa pjesa tjetër iu la bashkive.
Në vitin 2022 nisi kjo reformë, e cila zgjati një vit. U shkrinë ndërmarrjet e vjetra dhe u krijuan të rejat. Ndërmarrjet e reja supozohej të kishin dy prioritete kryesore, që kanë qenë premtime elektorale në tri fushatat e fundit të Ramës: Zgjidhja njëherë e përgjithmonë e problemit të furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm një premtim i pambajtur. Menaxhim më i mirë financiar i ndërmarrjeve.
Ndërmarrjet duhej që pas vitit 2023 të përmirësonin bilancet financiare.
E vërteta është kjo: nisur nga raportet vjetore të Entit Rregullator, sipas një raporti të vitit 2024, një tabelë tregon se në 17 ndërmarrje ka rreth 160 milionë euro borxhe ndaj një operatori të vetëm – ndaj KESH. Ndërmarrjet e ujësjellësit, një sektor në varësi të ministres Balluku, i kanë vetëm KESH-it 157 milionë euro borxhe. Ndërmarrja që dominon këtë borxh është UKD, me rreth 66 milionë euro.
Pra, nga 54 ndërmarrje që ishin në fillim, dhe tani me 13 ndërmarrje të reja, ka ndryshuar vetëm një gjë: në shumicën e bashkive të vendit është rritur çmimi i ujit. Borxhi është shtuar. Nuk ka ujë të pijshëm.
Dikasteri që drejton sot Belinda Balluku pranon në mes të ditës se ujësjellësi ka rreth 160 milionë euro borxhe ndaj OSHEE-së, dhe sot asnjë drejtues nga UK nuk është në ndjekje penale për keqmenaxhim të këtij entiteti publik.