Ancelotti shpjegon lënien jashtë të Neymari-t: Forma fizike dhe përkushtimi, më të rëndësishëm se cilësitë teknike
Mungesa e Neymar-it në lista e fundit e Brazilit vazhdon të ngjallë debat, por trajneri Carlo Ancelotti ka kërkuar t’i japë fund polemikës, duke theksuar se vendimi ishte thjesht teknik.
Duke folur para ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Kilit, e cila luhet të enjten, në “Maracanã”, italiani shpjegoi se kishte vendosur të linte jashtë sulmuesin për sfidat kundër Kilit dhe Bolivisë.
Neymar, i cili publikisht ka deklaruar se është plotësisht i gatshëm, më herët kishte sugjeruar se arsyetimi i Ancelottit ishte i pabazë.
“E pranova kritikën e Neymar-it si diçka normale, është e vërtetë, ishte një vendim teknik,” tha Ancelotti. “Unë kërkoj lojtarë 100%. Para se të thërrasim dikë, vlerësojmë jo vetëm cilësinë e tij, por edhe formën e fundit, gjendjen fizike dhe problemet që mund të ketë pasur. Kushti fizik është një faktor shumë i rëndësishëm për ne.”
Trajneri i Brazilit theksoi se vendimi nuk lidhet me talentin e Neymar, të cilin e quajti “të padiskutueshëm”, por me formën aktuale. “Nuk është vetëm Neymar, kjo vlen për të gjithë. Ne kemi nevojë për lojtarë të përgatitur fizikisht dhe që luajnë për skuadrën, jo vetëm individualisht,” shtoi ai.
Ancelotti zbuloi gjithashtu se rreth 70 lojtarë janë nën vëzhgim për Kupën e Botës 2026, duke e bërë konkurrencën shumë të fortë. “Nga këta 70, do të vlerësojmë cilësinë, gjendjen fizike dhe përshtatjen e tyre me ekipin. Ndonjëherë është më mirë të marrësh një lojtar me më pak teknikë, por që është në formë maksimale dhe i përkushtuar ndaj skuadrës.”
Brazili, që tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në Botërorin 2026 me 25 pikë dhe renditet i treti në Amerikën e Jugut pas Argjentinës dhe Ekuadorit, do të përballet me Kilin në shtëpi përpara se të udhëtojë në La Paz për të luajtur kundër Bolivisë, të martën e ardhshme.