Merkato rekord, mbi 8 miliardë euro të shpenzuara këtë verë, kryeson...

Merkatoja e verës 2025 ka hyrë në histori si më e shtrenjta ndonjëherë, duke tejkaluar çdo rekord të mëparshëm vetëm një vit para Kupës së Botës 2026. Sipas një raporti të publikuar nga FIFA, klubet e futbollit shpenzuan plot 9,76 miliardë dollarë (8,36 miliardë euro) për transferime ndërkombëtare, rreth 50% më shumë se në verën e vitit 2024 dhe dukshëm mbi rekordin e vitit 2023 prej 7,43 miliardë eurosh.

Premier League vazhdon të mbajë fronin si kampionati më aktiv e më i fuqishëm financiarisht, me 2,73 miliardë euro të shpenzuara, ku Liverpool-i spikati me afrime të bujshme. Pas Anglisë renditen Gjermania me 980 milionë euro, Italia me 813 milionë dhe Franca me 625 milionë. Ndërkohë, Arabia Saudite – që në vitin 2023 u ngjit në vendin e dytë me afrime të bujshme – këtë verë ka zbritur në vendin e gjashtë.

Interesante është edhe rritja e tregut të futbollit femëror, i cili megjithëse në shifra më modeste, ka pësuar një rritje prej 80% krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 12,3 milionë dollarë.

Ky ‘boom’ i jashtëzakonshëm në merkato tregon fuqinë ekonomike gjithnjë e në rritje të futbollit botëror, por gjithashtu ngre pyetje mbi balancat financiare dhe drejtimin që po merr ky sport, ku shifrat arrijnë nivele marramendëse.