Juventus, gati rinovimi për Yildiz, kontratë deri në vitin 2030

Te Juventusi po përgatitet një lëvizje shumë e rëndësishme për të ardhmen: klubi bardhezi është gati të rinovojë kontratën e Kenan Yildiz deri në vitin 2030, me mundësi shtyrjeje edhe për vitin 2031. Fantazisti turk konsiderohet si qendra e projektit të ri të skuadrës dhe firma e tij pritet të vijë brenda javëve të ardhshme.

Në një merkato të verës të mbushur me lëvizje të bujshme, ku gjithçka dukej se do të çonte drejt largimit të Vlahovic-it dhe rikthimit të Kolo Muani, Juventusi befasoi duke mbajtur sulmuesin serb dhe duke afruar emra të tillë si Openda dhe Zhegrova, të cilët iu shtuan David në orët e fundit të merkatos.

Megjithatë, gjatë gjithë kësaj periudhe, një gjë ka qenë e padiskutueshme: Yildiz nuk ishte në shitje. Përballë çdo tentative dhe interesimi, sidomos nga Premier League, ku Arsenali dhe Chelsea kishin bërë sondazhe konkrete, Juventusi i ka mbyllur dyert me një "jo" të prerë.

Yildiz, i lindur në vitin 2005, shihet nga drejtuesit Comolli dhe Modesto si “gur themeli” mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja e klubit bardhezi. Për këtë arsye, rinovimi i tij është prioritet absolut.