Disa ditë pasi i doli në pah artikulli kundër UÇK’së, Basha shkon për homazhe në Prekaz

Disa ditë pasi doli në pah artikulli kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku ai ishte bashkëautor, Kryeparlamentari Dimal Basha ka bërë sot homazhe në Prekaz, e pastaj edhe tek varri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova dhe tek ai i veprimtarit Adem Demaçi, shkruan Reporteri.net.

Basha ka thënë se Prekazi është vendi ku liria jonë mori kuptimin më të thellë, falë sakrificës sublime të familjes Jashari.

“Heroizmi i Komandantit Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij, është themeli mbi të cilin u ngrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Prekazi mbetet përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare, për unitetin dhe përkushtimin tonë ndaj atdheut”, kka shkruar Basha.

Për Rugovën ka thënë se shtriu rrugën drejt shtetësisë sonë dhe e kishte të qartë se kompromisi i vetëm ishte Pavarësia, dhe asgjë më pak.

“Më tej, nderimet i vazhdova te varri i Bacës Adem Demaçi, një nga pishtarët më të ndritshëm të lirisë, shembull i një qëndrestari të paepur i cili guxoi gjatë tërë jetës së tij. Burgimi i tij shërbeu si simbol i rezistencës për popullin tonë, që pastaj u vlerësua edhe me Çmimin Sakharov, ndarë nga Parlamenti Evropian në vitin 1991”, ka shkruar Basha.

Homazhet i ka përfunduar te Memoriali “Heroinat”, “ku përkujtojmë mbi 20,000 gra shqiptare të dhunuara gjatë luftës nga regjimi fashist i Millosheviqit”.

“Dhunimi ndaj tyre u përdor si armë lufte kundër popullit tonë dhe kjo mbetet një nga plagët më të rënda. Nderimi ynë për to është i përjetshëm, ndërsa kjo plagë nuk mund të shërohet asnjëherë derisa të arrihet drejtësia e plotë”, ka shkruar Basha.

Në fund ka thënë se është obligim dhe detyrë e përhershme që ta vazhdohet rruga që ata trasuan me veprat e tyre.

Në këto homazhe, atij i është bashkuar edhe nënkryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu.