Arrestimi i komedianit ekspozon problemin e Evropës me lirinë e shprehjes
Nga Helen Lewis, THE ATLANTIC
Shkrimtari irlandez i komedive, Graham Linehan, dikur njihej për serialet e tij të këndshme, herë pas here sureale, si Father Ted, Black Books dhe The IT Crowd në televizionin britanik. Sot, megjithatë, ai është më i njohur për fushatën e tij online kundër aktivizmit transgjinor. Llogaria e tij në X ndjek të njëjtin stil si ‘Libs of TikTok’, duke zgjedhur me kujdes video të kriminelëve dhe fetishistëve në një sulm të hapur kundër “ideologjisë gjinore.”
Ai është obsesiv dhe ofendues. Por a është kriminel? Policia britanike duket se mendon kështu. Linehan u arrestua sot nga pesë oficerë të armatosur, në kthimin e tij nga Shtetet e Bashkuara, ku po punonte për një sitcom të ri, dhe u akuzua për “nxitje dhune.” Ai thotë se kjo akuzë lidhet me tre postime të tij në X. (Autoritetet nuk e kanë kundërshtuar këtë, dhe mediat britanike po e trajtojnë rrëfimin e tij si të besueshëm.)
Në një nga postimet problematike, ai kishte shkruar:
“Po qe se një mashkull i identifikuar si trans hyn në një hapësirë vetëm për femra, ai po kryen një akt të dhunshëm dhe abuziv. Shkakto skandal, thirre policinë, dhe nëse gjithçka tjetër dështon, qëlloje me grusht në vezore”.
A mund të ndodhë realisht nxitje kriminale në një situatë hipotetike? Nëse po, atëherë do të na duhet një qeli shumë më e madhe.
Duke supozuar se rrëfimi i Linehan është i saktë, atëherë arrestimi i tij është totalitar, absurd dhe një humbje kohe për policinë. Ai është gjithashtu simptomatik për një ftohje më të gjerë të lirisë së shprehjes në Evropë, ku përdorimi selektiv i ligjeve mbi gjuhën e urrejtjes, fyerjen dhe nxitjen ka kthyer policinë në zbatues të vlerave progresive dhe u ka dhënë atyre një pushtet të jashtëzakonshëm diskrecional.
Lexuesit amerikanë janë mësuar që konservatorët të pretendojnë censurë edhe për provokimin më të vogël, madje edhe kur ata gëzojnë mbrojtjen e Amendamentit të Parë nga veprimet e qeverisë. Por problemi në Evropë është real. Në Mynih këtë pranverë, Zëvendëspresidenti J. D. Vance përmendi veprimet e policisë kundër një protestuesi të heshtur kundër abortit në Britani, si dhe kundër një burri që dogji një Kuran në Suedi, për të argumentuar se, në mbarë Evropën, “liria e shprehjes, kam frikë, është në tërheqje.”
Pozicioni i Vance në administratën Trump u dha audiencave skeptike në Evropë një justifikim për ta injoruar. Duke pasur parasysh trajtimin joliberal të protestuesve kundër Izraelit dhe të tjerëve, Shtëpia e Bardhë ka aq autoritet moral sa një dhelpër që qëndron pranë një grumbulli kockash pule. Shumë evropianë ishin të njohur me marrjen nën kontroll të X nga Elon Musk, dhe kështu kishin parë nga afër se si duket në praktikë versioni i tij i një bote “absolutiste të lirisë së shprehjes”: një paradë e zymtë videosh makabre, antisemitizëm të dhunshëm dhe dezinformim të monetizuar.
Megjithatë, Vance kishte të drejtë kur tha se disa pjesë të Evropës, me qëllimin e mirë për të mbrojtur pakicat, kanë miratuar ligje jashtëzakonisht joliberale mbi gjuhën e urrejtjes dhe ngacmimin. Politikanët që i miratuan këto ligje nuk duket se e kanë kuptuar se njerëz shumë të dyshimtë mund të përpiqen t’i përdorin këto masa për të vendosur dënime civile ose penale ndaj kritikëve dhe kundërshtarëve të tyre politikë. Në Gjermani, pas miratimit të ligjit për vetë-identifikimin gjinor vitin e kaluar, një neo-nazist mashkull që pretendon se është grua — edhe pse e ka mbajtur mustaqen e gjatë me majë — ka bërë ankesa të pabaza kundër gazetave që publikisht kanë shprehur mosbesim në sinqeritetin e tranzicionit të tij.
Këtu në Britani, ku jetoj unë, ligjet mbi “komunikimin dashakeq” dhe “rregullin publik” bëjnë që policia të tërhiqet rregullisht në grindje rraskapitëse online mes obsesivëve ku secili akuzon tjetrin për gjuhë urrejtjeje dhe ngacmim. Shuma të mëdha kohe humben duke u përpjekur të zbërthehet e vërteta. Kryetari i Federatës së Policisë së Skocisë, një grup oficerësh, tha vitin e kaluar se një përmbytje raportesh mbi krimet e urrejtjes, dhe zotimi i autoriteteve që çdo raport do të hetohej, ka krijuar “një situatë me të cilën thjesht nuk mund të përballemi.”
Linehan është përballur më parë me akuza që futen në këtë kategori, për të cilat rezultati më i mirë do të ishte nëse të gjithë të përfshirët të logoheshin jashtë dhe të merrnin pak ajër të pastër. Në maj, një vendim paraprak konstatoi se ai kishte shpifur ndaj një aktori me të cilin po debatonte online. Në 2018, Linehan mori një paralajmërim policor pasi një grua trans e akuzoi për ngacmim, për zbardhjen e emrit të saj të mëparshëm mashkullor online. (Ai kundërshtoi duke thënë se kishte ndërhyrë sepse ajo po ngacmonte miqtë e tij.) Linehan po kthehej në Britani vetëm sepse do të përballej me gjyq të enjten mbi një tjetër akuzë për ngacmim, këtë herë pas një përleshjeje me një grua trans 18-vjeçare.
Problemi më i thellë me ligjet evropiane mbi fjalën dhe urrejtjen, megjithatë, është perceptimi i gjerë se ato zbatohen selektivisht. Shembulli më i dukshëm është ndjekja disproporcionale e supozuar e krimeve të urrejtjes kundër policisë: Në 2021, BBC zbuloi se “oficerët dhe stafi policor ishin viktima në deri në gjysmën e krimeve të urrejtjes të ndjekura penalisht në disa zona, pavarësisht se përbënin një përqindje të vogël të numrit total të rasteve të regjistruara.” (Që në 2006, policia lokale në Oksford insistonte të ndiqte një rast kundër një studenti të dehur që e quajti një nga kuajt e tyre “gay.”) Në praktikë, ligjet mbi gjuhën e urrejtjes u japin policëve një armë kundër njerëzve që i kanë irrituar ata.
Legjislacioni i gjerë gjithashtu u jep autoriteteve diskrecion për të ndjekur grupet e pakënaqura dhe për të mbrojtur ato të preferuara. Në maj të këtij viti, një burrë u dënua për një shkelje të rregullit publik për djegien e një Kurani—edhe pse Anglia e kishte hequr ligjin mbi blasfeminë në 2008. Aktivistët konservatorë argumentojnë se autoritetet ecin me kujdes rreth ndjeshmërisë së myslimanëve, por injorojnë shkeljet kundër krishterimit.
Një tjetër rast i njohur në të djathtën britanike ka qenë rasti i Lucy Connolly, e cila postoi një mesazh—më pas e fshiu—gjatë trazirave anti-imigracion vitin e kaluar, duke thënë se shpresonte që dikush të digjte një hotel ku strehoheshin kërkues të azilit. Ajo pranoi fajin dhe u dënua me dy vjet e shtatë muaj burg për publikimin e materialit që nxitonte tensione racore, dhe tani paraqitet si një martire e lirisë së shprehjes. Postimi i saj ishte ofendues dhe inflamator, por shumë njerëz të dënuar për krime të dhunshme marrin dënime më të lehta. Raste të tilla krijojnë perceptimin e “drejtësisë me dy shkallë,” një akuza që i bëhet rregullisht qeverisë së Kryeministrit britanik Keir Starmer. (Zëdhënësi i tij sot kritikoi arrestimin e Linehan.) Zbatimi i tepruar i ligjeve mbi fjalën krijon një ndjenjë pakënaqësie që e djathta ekstreme është gati ta shfrytëzojë.
Debati mbi përfshirjen e personave trans demonstron shumë mirë standardin e dyfishtë. Si aktivistët trans, ashtu edhe feministet kritike ndaj gjinisë, të cilat besojnë se gjinia biologjike e njerëzve dhe jo gjinia e deklaruar nga vetë personi duhet të jetë baza e ligjit dhe politikës, kanë ekstremistë në radhët e tyre. Dhe megjithatë, policia në Britani duket shumë më e shqetësuar për komentet si ato të Linehan sesa për retorikën po aq të dhunshme nga ana tjetër—përfshirë aktivizmin kundër feministeve radikale të quajtura trans-ekskluzive. Në 2023, dy politikanë skocezë pozuan famëkeqisht në një tubim para një shenje që thoshte DECAPITATE TERFS. U hap një hetim policor, por nuk u mor asnjë veprim.
Po në të njëjtin vit, një aktiviste trans e quajtur Sarah Jane Baker—e cila më parë ishte dënuar për torturimin e një adoleshenti dhe më pas për tentativë vrasjeje ndaj një të burgosuri tjetër—i tha një tubimi pro-trans: “Nëse sheh një TERF, godite në fytyrë.” Një magjistrat e shpalli Baker jo-fajtor për nxitje dhune, duke thënë se Baker nuk po bënte një kërcënim serioz, por “donte publicitet.” Krahaso këtë rast me atë të Linehan: Nëse Baker nuk u dënua, pse të arrestohet shkrimtari i komedisë për një koment më pak inflamator?
Nuk dua të minimizoj faktin që Linehan ka një histori përfshirjeje në grindje të vogla, të pista dhe të lodhshme në internet. (Dhe e them këtë si një objektiv i shpeshtë i zemërimit të tij.) Por martirët e lirisë së shprehjes shpesh janë të tillë: të vështirë për t’u mbështetur ose për t’u mbrojtur. Debati i hapur shpesh është i bezdisshëm, shqetësues ose i pasjellshëm. Por asnjë nga këto mbiemra nuk duhet ta bëjë një çështje policore.