SYRI TV/ ‘Tigrat’ në gjumë - KESH jep 15 mln euro për naftë, Rama paguan 94 mijë USD në ditë për qiranë

Shpenzime kolosale ka kryer qeveria Rama për dy centralet lundruese “Tigri 1” dhe “Tigri 2”, të cilat nuk janë vendosur në funksion. Nga të dhënat rezulton se KESH, ka shpenzuar më së paku 15 milionë euro për furnizimin me karburant dhe siguracionin e anijeve që mbërritën në Portin e Vlorës nga Bangladeshi. Por qeveria nuk është mjaftuar më këtë shumë të cilës i ka shtuar edhe 94 mijë dollarë për qiranë e dy gjeneratorëve.

Syri TV

Dy centralet lundrues, “Tigri 1” dhe “Tigri 3” nuk rezulton të jenë vënë në punë prej së paku dy vitesh, megjithëse qeveria shqiptare, nëpërmjet Korporatës Elektroenergjitike, KESH, ka shpenzuar më së paku 15 milionë euro për furnizimin me karburant dhe siguracionin e anijeve që mbërritën në Portin e Vlorës nga Bangladeshi.

Ky shpenzim shumë i lartë i shtohet pagesës 94 mijë dollarë në ditë që qeveria e Ramës paguan për qiranë dhe operimin e dy gjeneratorëve.

Në Tetor të vitit 2023, Korporata Energjitike mbylli tenderin me objekt “Depozitim dhe shkarkim i lëndës djegëse për TEC lundrues, Vlorë”.

Tenderi u zhvillua me procedurën e mbyllur, atë të negocimit paraprak, dhe fondi limit ishte 1.1 miliardë lekë të reja ose 10.4 milionë euro.

Në Gusht të vitit 2024, KESH-i shpenzoi plot 170 milionë lekë të reja ose rreth 1.7 milionë euro për ‘Sigurimin e asetit TEC lundrues”.

Për siguracionin e dy “Tigrave”, Korporata Elektroenergjitike vendosi në Korrik 2025 të shpenzojnë edhe 1.7 milionë euro të tjera.

Ndërkohë, KESH-i kishte përfunduar një procedurë tjetër tenderuese për evadimin e mbetjeve hidrokarbureve të prodhuar nga “Tigrat”, me fond limit 32 milionë lekë të reja ose rreth 320 mijë euro.

Të gjitha këto shpenzime, që duket se do të vijojnë në të ardhmen, nuk rezulton të kenë sjellë asnjë efekt pozitiv në sistemin energjitik shqiptar.

Korporata Energjitike dhe Ministria e Infrastrukturës nuk kanë bërë publike të dhëna nëse gjeneratorët lundrues kanë punuar ndonjëherë dhe cili ka qenë impakti i tyre në situatën energjitikë në Shqipëri.

Qeveria shqiptare, me bekimin e ish-ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, nënshkroi në prillin e vitit 2022 kontratë me bashkimin e operatorëve të huaj “Excelerator dhe Renz” për marrjen e shërbimit të prodhimit të energjisë nga dy anije-gjeneratorë.

Kontrata u kundërshtua fuqimisht nga opozita, e cila e konsideroi kontratën si një aferë gjigante korruptive. Gjithashtu, grupet e ambientalistëve e kundërshtuan ankorimin e dy “Tigrave” në Gjirin e Vlorës, pasi konstatuan se operimi i tyre do të kishte efekte shkatërruese në eko-sistemin e zonës, por edhe më gjerë.