SYRI TV/ Rriten çmimet e banesave në Gjirokastër, agjentja imobiliare: Banesat përdoren për qira ditore
Në Gjirokastër, për shkak të zhvillimit të turizmit, janë trefishuar çmimet e shitjeve të apartamenteve apo edhe të dhënies me qira. Situata është bërë e papërballueshme për banorët vendas, sidomos kur merren parasysh të ardhurat dhe paga minimale.
Zhvillimi i turizmit ka bërë që shumica e qiradhënësve të shfrytëzojnë pronat e tyre për B&B dhe jo më për familjarë.
Një tjetër problem që po shfaqet në qytetin e gurët është mungesa e investimeve dhe e ndërtimeve të reja, gjë që ka sjellë një kaos të vërtetë në treg.
Ekaterina Puqe, agjente imobiliare, thotë se në Gjirokastër një apartament me qira rreth 60 m² ka shkuar në vlerën 350 deri 400 mijë lekë të vjetra, shifër që është e papërballueshme për banorët lokalë.
Për banorët e Gjirokastrës, tregu i banesave po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u përballuar. Në të ardhmen mbetet për t’u parë nëse do të ketë politika që do të balanconin zhvillimin e turizmit me nevojat e qytetarëve vendas.