Kepi: Vota e diasporës, një dështim spektakolar që ekspozoi realitetin e shtetit shqiptar

Gazetarja Alba Kepi procesin e votimit të diasporës e cilëson si një “dështim spektakolar”, që konfirmoi jo forcimin e demokracisë, por thellimin e politizimit dhe paaftësisë institucionale në Shqipëri.

Në emisionin e mëngjesit në ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, Kepi tha se humbja e 43 mijë votave nga mbi 245 mijë emigrantë të regjistruar krijoi hapësira të rrezikshme për manipulim dhe abuzim zgjedhor, ndërsa trajtimi financiar dhe logjistik i procesit tregon nivelin e ulët të përgjegjësisë së shtetit shqiptar përballë detyrimeve kontraktuale.

Alba Kepi: Unë mendoj se vota e disporës, u shit si një hap historik por konfirmoi një dështim spektakolar. Pasi nga 245 mijë emigrantë që u regjistruan për të votuar, 43 mijë vota të tyre humbën që do të thotë se u krijuan 43 mijë gropa për të abuzuar çdo proces demokratik, që mund të shumëfishoheshin dhe ndoshta janë shumëfishuar dhe ndoshta në disa zona u pa sesa u politizua ky proces.

Pra, vota e diasporës u soll si një proces demokratik që të forconte procesin demokratik të zgjedhjeve, por u pa qartë se ishte dhe u bë një votë e cila e forcoi akoma më shumë politizimin e institucioneve. Forcoi akoma më shumë mungesën e demokracisë në Shqipëri. Dhe kjo është e qartë nga të gjitha këto statistika që vetë KQZ sjell.

Unë mendoj që përtej skandalit financiar dhe logjistik, ajo që ndodh me votën e diasporës është pasqyra e qartë e shtetit shqiptar. Kemi një administratë jo funksionale, paaftësi për të nënshkruar kontrata dhe për të patur përgjegjësi në këto nënshkrime, kemi një shtet i cili është dhe vijon të jetë i paaftë për të patur standarde dhe për të krijuar atë imazh që sheh përmes ‘piarit’ të qeverisë.

Pra, është më se e qartë se vota e diasporës ishte një dështim total dhe një forcim i autokracisë. Nuk është një përsëritje e asaj që kemi thënë, është një fakt konkret. Në këto momente, me këtë çka po ndodh mes DHL dhe KQZ ekziston risku që gjithçka të përqendrohet ose shpërqendrohet nga ajo çka ka munguar në procesin zgjedhor. Pra, mungoi standardi demokratik dhe të përqendrohet e gjitha në një kamatëvonesë apo një skandal financiar të një shteti që është i paaftë të nënshkruajë një kontratë.